E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret ambasadorin e Turqisë, Suphan Erkula

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Suphan Erkula, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri. Ministri Basha, pasi shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve tradicionale e miqësore që ekzistojnë midis dy popujve e dy vendeve tona, vlerësoi kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm të ambasadorit Erkula në intensifikimin e zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Në veçanti, ministri Basha shprehu falënderimet për mbështetjen e gjithanshme e të çmuar që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit të anëtarësimit të plotë në NATO, për kontributin dhe ndihmën e saj të pakursyer për realizimin e reformave dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si edhe për mbështetjen e palëkundur të Turqisë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare. Ndërsa ambasadori Erkula shprehu bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona do të njohin zhvillime të reja dhe se dialogu politik në nivel të lartë, bashkëpunimi dypalësh, veçanërisht në fushën ekonomike e tregtare, do të vijë duke u intensifikuar gjithnjë e më shumë në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›