Braktis foshnjën 2-muajshe, procedohet nëna shkodrane
Gjendet e braktisur një foshnjë 2-muajshe, ndërkohë që është identifikuar nëna e saj, një e re nga Shkodra. Bebja është gjetur nga disa kalimtarë të rastit gjatë orëve të para të së hënës, të cilët kanë lajmëruar menjëherë sallën operative të Komisariatit të Elbasanit. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se mëngjesin e së hënës, banorë të lagjes "Syrja Dylgjeri" kanë raportuar se një grua e re, kishte lënë foshnjën e saj në një trotuar dhe nuk ishte kthyer për ta marrë. Fillimisht është menduar se gruaja po e linte aty për pak minuta, derisa të kryente ndonjë punë, por qëndrimi gjatë në trotuar dhe të qarat pa pushim të foshnjës kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve të rastit, të cilët kanë lajmëruar policinë. Falë të dhënave, policia ka arritur të identifikojë nënën e foshnjës, e cila mësohet të jetë Flora Çoku nga qyteti i Shkodrës. Agjentët e policisë kanë mundur të gjejnë nënën shkodrane që braktisi foshnjën ende pa u larguar për në qytetin e saj të lindjes dhe është marrë në pyetje rreth braktisjes, por nuk bëhen të ditura shkaqet që e kanë çuar të renë drejt këtij vendimi. Mësohet se ajo do të procedohet penalisht për veprën penale të "braktisjes së fëmijëve të mitur". E reja mësohet të ketë qëndruar për disa ditë te të afërmit e saj në Elbasan dhe po këtu kishte vendosur të "pasaportizonte" krijesën e saj.