Lezhë, përplaset për vdekje një kalimtare 70-vjeçare
Një e vdekur dhe 2 të plagosur ka qenë bilanci i dy aksidenteve të ndodhura dje në Lezhë dhe në Lushnjë. Në Lezhë, një e moshuar ka gjetur vdekjen mesditën e djeshme, pasi u përplas nga një automjet, teksa po tentonte të kalonte në anën tjetër të rrugës. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Laç-Lezhë, në vendin e quajtur Fushë-Milot. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se një automjet tip "Hunday", me targa të huaja, që drejtohej nga 30-vjeçari Edmond Qosja, banues në Maminas të rrethit Durrës, ka përplasur Prena Palokën, 70 vjeçe, banuese në Fushë-Mamurras, e cila ishte duke kaluar rrugën. Përplasja ka qenë fatale për gruan e moshuar, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e policisë, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes rrugore. Mësohet se drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në Komisariatin e Kurbinit, deri në sqarimin e plotë të aksidentit. Ndërkohë po dje, gjatë orëve të paradites një kamion i mbledhjes së mbeturinave me targa DR 8983 A është përplasur me një "Benz" me targa italiane në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në vendin e quajtur "Ura e Rrogozhinës". Mësohet se dy automjetet kanë qenë duke udhëtuar në të njëjtin kah, kur makina e mbeturinave i ka prerë rrugën automjetit tjetër, i cili është përplasur në bankinat anësore të autostradës. Si pasojë e goditjes kanë mbetur të plagosur dy personat që ndodheshin në automjetin tip "Benz", shtetasit Shkëlqim Jeshili dhe Alfred Dupi. Ata janë transportuan menjëherë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë po jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e makinës së mbeturinave deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.