E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Shqipëria duhet të lejojë hetimin e KiE

Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, deklaroi dje se shteti shqiptar duhet të lejojë hetimin e Këshillit të Europës për dyshimet mbi trafikun e organeve në Shqipëri. Një ditë pasi hetues të ardhur nga Strasburgu nuk u lejuan të hynin në fshatin Gurrë të Matit për të bërë verifikime në shtëpinë ku dyshohej se është bërë trafiku i organeve të ushtarëve serbë, një prej përfaqësuesve të delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, tha se Shqipëria është e detyruar të lejojë hetimet që ndërmerr vetë Strasburgu. Islami sqaroi se këtu nuk bëhet fjalë vetëm se ish-kryeprokurorja e Hagës ka deklaruar se dyshohet se në fshatin Gurrë është zhvilluar një veprimtari e tillë, por sepse ekziston një vendim i Asamblesë Parlamentare të KiE, vendim që Shqipëria duhet ta zbatojë. "Problemi është më i komplikuar se kaq, nuk bëhet thjesht se zonja Del Ponte ka bërë një deklaratë dhe familja duhet të lejojë hetimin, por kjo tani ka kaluar nëpërmjet KE-së, ku Shqipëria është anëtare dhe është e detyruar të pranojë komisione të ndryshme investigimi që vijnë në Shqipëri, për të bërë investigimin mbi bazën e një vendimi që ka marrë Asambleja Parlamentare e KE-së", tha Islami. Ndër të tjera, ish-ministri i Jashtëm vëren se është detyrë e qeverisë shqiptare që të krijojë kushtet e domosdoshme që delegacioni i ardhur për të hetuar të kryejë detyrën e tij, por, nga ana tjetër, duhet të krijohen kushtet që individi që preket nga ky hetim të kompensohet. "Është në detyrën e qeverisë të marrë përsipër të gjithë krijimin e kushteve për misionin e KiE, por, nga ana tjetër, duhet të krijojë të gjitha kushtet që të mos ndodhë asgjë me individin, aq më tepër nëse do të kishte dëmtime nga investigimi të merrte përsipër kompensimin e të gjitha dëmtimeve eventuale që mund të vini nga ky investigim", vijoi Islami. Një ditë më parë, grupi i hetimit nuk u lejua të hynte në familjen Katuci, ndërsa javën e shkuar kryetari i delegacionit të KiE, Dik Marti, bisedoi me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar për këtë çështje. Familja Katuci në Gurrë të Matit u bë e famshme pas akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. Kjo e fundit, në kujtimet e saj, pretendon se në këtë shtëpi është kryer transplant i organeve të serbëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›