LSI: Çfarë do t‘i kërkojmë Berishës
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dhënë përgjigje pyetjes publike se cilat janë preferencat e saj për t‘u përfaqësuar në qeverinë e re. Drejtuesi i LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar dje se prioritetet e kësaj force politike, të cilat pritet të gjejnë terren veprimi në qeverinë e re janë gjashtë: integrimi, ekonomia, punësimi, arsimi, bujqësia dhe shëndetësia. Haxhinasto informon se LSI-ja është drejt përfundimit të platformës konkrete, e cila do t‘i paraqitet Kryeministrit Berisha në takimin që ai do të realizojë së shpejti me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Sipas Haxhinastos, objektivat janë politike dhe sociale, por se cilat do të jenë konkretisht ministritë që LSI-ja do të drejtojë, kjo thekson ai mbetet për t‘u diskutuar në takimin që Berisha dhe Meta do të realizojnë me njëri-tjetrin. Më tej, Haxhinasto sqaron se cila është platforma politike e LSI-së, e cila thekson ai do të fokusohet te programi i përbashkët qeverisës për të ruajtur profilin politik të LSI-së, për të realizuar premtimin që kjo forcë politike u ka bërë zgjedhësve dhe për t‘u pozicionuar si një forcë politike e cila jo vetëm gjeneron ide dhe projekte e platforma, por i realizon ato me sukses. Haxhinasto thekson se për LSI-në do të jetë mjaft e rëndësishme realizimi i objektivave kryesorë, me të cilët do të përballet qeveria gjatë këtij mandati, siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, realizimi i zgjedhjeve lokale, si edhe zgjedhja e Presidentit të ri. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te Kodi Zgjedhor, Haxhinasto thekson se ai duhet të jetë prioritet madhor i të gjitha forcave politike, me qëllim që zgjedhjet të mos kontestohen. "Ndërsa çështjet e tjera, siç janë zgjedhjet lokale dhe zgjedhja e Presidentit, do të jenë çështje që do të diskutohen, por gjithçka në kohën dhe në vendin e duhur", u shpreh Haxhinasto. Për të mësuar zyrtarisht se cilat do të jenë ministritë që LSI-ja do të marrë nën drejtim për katër vitet e ardhshme në bashkëqeverisje me PD-në, kjo mbetet për t‘u parë pas takimit që është përfolur se do të zhvillohet më 20 gusht. Ajo çka shqiptarët kanë të qartë në këtë moment, është se gjatë këtyre katër viteve ata do të qeverisen nga PD-ja dhe LSI-ja. Kjo bashkëqeverisje erdhi si pasojë e pranimit të ftesës së PD-së nga LSI-ja pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku asnjëra nga forcat kryesore, PD-ja dhe PS-ja, nuk arritën të merrnin numrin e duhur të deputetëve për të qeverisur vendin. Në një situatë të tillë, Berisha ftoi publikisht Metën që të bashkohej me demokratët për të bashkëqeverisur vendin dhe pranimi i ftesës nga ana e Metës ishte i menjëhershëm. Meta i dha Berishës katër mandatet e deputetëve që LSI-ja arriti të marrë në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që PD-ja mundi të marrë vetëm 70 mandate. Së bashku PD-ja dhe LSI-ja arrijnë në numrin e 74 deputetëve në sallën e Kuvendit. Numër ky i mjaftueshëm për të krijuar një qeveri të re, por kjo është një mazhorancë e brishtë për sa i përket realizimit të reformave të mëdha. Në Kushtetutë është përcaktuar qartë se për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, një nga kushtet e LSI-së për të bashkëqeverisur me PD-në duhet të paktën 94 vota pro, pra duhet dhe vota e PS-së. Kësaj mazhorance i duhen sërish vota për të realizuar reformat e mëdha në drejtësi, miratimin e kodeve dhe ligjeve të tjera, të cilat duan 84 vota në Kuvend në bazë të Kushtetutës.
Prioritetet programore të LSI-së
Integrimi
Arsimi
Ekonomia
Punësimi
Shëndetësia
Bujqësia
Pushteti
Negociatat verore që
paraprinë qeverinë e re
Nga negociatat informale, të cilat janë zhvilluar në pikun e verës pranë liqenit të Ohrit dhe detit të Dhërmiut, zbulohet se kreu i LSI-së i ka kërkuar Kryeministrit postin e Kryetarit të Parlamentit. Berisha, megjithëse me një shumicë të brishtë në Kuvend, është treguar i hapur dhe i vendosur të kënaqë LSI-në, duke i plotësuar kërkesat dhe të shprehet i bindur se ka nën kontroll Partinë Demokratike. Kampi i LSI përjashton mundësinë e një skenari që Meta të ulet në karrigen e Parlamentit për të mos qenë ministër i Berishës, duke sqaruar vetëm se negociatat zyrtare për emra konkretë do të fillojnë më 20 gusht.
Prioritetet programore të LSI-së
Integrimi
Arsimi
Ekonomia
Punësimi
Shëndetësia
Bujqësia
Pushteti
Negociatat verore që
paraprinë qeverinë e re
Nga negociatat informale, të cilat janë zhvilluar në pikun e verës pranë liqenit të Ohrit dhe detit të Dhërmiut, zbulohet se kreu i LSI-së i ka kërkuar Kryeministrit postin e Kryetarit të Parlamentit. Berisha, megjithëse me një shumicë të brishtë në Kuvend, është treguar i hapur dhe i vendosur të kënaqë LSI-në, duke i plotësuar kërkesat dhe të shprehet i bindur se ka nën kontroll Partinë Demokratike. Kampi i LSI përjashton mundësinë e një skenari që Meta të ulet në karrigen e Parlamentit për të mos qenë ministër i Berishës, duke sqaruar vetëm se negociatat zyrtare për emra konkretë do të fillojnë më 20 gusht.