E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli pret në takim ambasadoren britanike

Kryetarja e Kuvendit "në detyrë", Jozefina Topalli, priti dje ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcilwham, si edhe ambasadorin turk, Suphan Erkula, të cilit i përfundon mandati i tij në vendin tonë. Gjatë takimit me kryeparlamentaren, ambasadorja Mcilwham shprehu kënaqësinë që po niste shërbimin në një periudhë interesante për Shqipërinë. Ajo tha se kishte udhëtuar pak nëpër Shqipëri, por kishte vënë re një vend me një dinamikë zhvillimi befasuese. "Ka një ndryshim të dukshëm, veçanërisht në infrastrukturë. Në këto pak ditë që kam udhëtuar nëpër Shqipëri, kam vënë re një zhvillim në rritje të zonave ku kalojnë rrugët e reja", tha ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryetarja Topalli ndau me zonjën Mcilwham mendimin se Shqipëria është një vend me tregues me dinamikë të zhvillimit. Ndërsa ambasadori turk i ka thënë Topallit se ka qenë një privilegj që ai të shërbejë në një vend mik si Shqipëria. "Erdha në një periudhë interesante gjatë së cilës pashë realizimin e ndryshimeve shumë të shpejta të vendit dhe po iki në kohë interesante për Shqipërinë", u shpreh ai. Nga ana e saj, Topalli i shprehu ambasadorit turk mirënjohjen e veçantë për çuarjen përpara të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›