E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Landau: Mbi 1000 biznese, taksë elektronike

Përfaqësuesit e USAID-it vlerësojnë faktin se mbi 1000 biznese në Shqipëri tashmë paguajnë taksat në mënyrë elektronike. Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me drejtorin e USAID-it në Shqipëri, z. Eduard Landau, si dhe përfaqësues të Programit Prag të Korporatës, Sfida e Mijëvjeçarit për Shqipërinë. Në këtë takim në të cilin merrte pjesë dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Xhon Uithers, u diskutua mbi arritjet e programit aktual, ku u theksua në mënyrë të veçantë përparimi i dukshëm i Shqipërisë në zgjerimin e shërbimeve elektronike për biznesin. Ndër të tjera, përfaqësuesit e Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësuan progresin e Shqipërisë lidhur me prokurimet elektronike. Vlera e tenderave që po prokurohen në mënyrë elektronike arrin mbi 150 milionë dollarë. Kryeministri Berisha vuri në dukje si një arritje shumë të rëndësishme faktin e zgjerimit të QKR-së. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, - u shpreh Kryeministri, - janë regjistruar 15 mijë biznese të reja, nëpërmjet një shërbimi që ofrohet në një ditë. Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje, duke investuar, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve elektronike në taksa dhe prokurime, si dhe në regjistrimin e bizneseve. Kryeministri u shpreh se është i rëndësishëm trajnimi i punonjësve të administratës dhe bizneseve që të përdorim sa më me efektivitet këto sisteme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›