Basha pret zv/sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ad Melkert
Ministri Basha ka shprehur vlerësimet e tij mbi bashkëpunimin e suksesshëm të qeverisë shqiptare dhe UNDP- së gjatë takimit që ka zhvilluar me zv/sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe administrator në detyrë i UNDP, Ad Melkert. Gjatë këtij takimi, ministri Basha ka bërë një panoramë të plotë të reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, reforma të cilat garantuan që në prill 09, Shqipëria të jetë vend anëtar i NATO-s dhe një vend i asociuar i BE.
Gjatë takimit, theksoi se bashkëpunimi me UNDP-në është konkret dhe i prekshëm nëpërmjet projekteve të ndryshme për zhvillim, nën programin Një OKB, i cili përputhet më së miri, në koncept e në filozofi, me objektivat e reformave te qeverise shqiptare, duke përfshirë edhe disa fusha të reja dhe të rëndësishme si, mbështetja e prioriteteve të integrimit europian të vendit, çështjet e barazisë gjinore, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mirë-qeverisjen, mbrojtjen e mjedisit etj. Nga ana e tij, Melkert vlerësoi reformat e qeverisë në tre vitet e fundit si dhe shprehu konsideratat e tij mbi angazhimet e qeverise shqiptare për të siguruar suksesin e programit pilot Një OKB, që po zbatohet në vendin tonë, në kuadër të reformës menaxheriale të sistemit të Kombeve të Bashkuara. Duke vlerësuar arritjet e deritanishme të këtij programi Melkert falënderoi qeverinë shqiptare për këtë kontribut real dhe shprehu angazhimin e tij për rritjen e fushave të bashkëpunimit mes agjencive të zhvillimit të OKB-së dhe qeverisë shqiptare.