E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratat, PS aleancë me Sali Berishën, Meta aleancë me Socialistët

Zëdhënësi i Ramës, Veliaj, deklaron se pas zgjedhjeve  dëshiron të marrë në qeveri demokratët
Partia Socialiste nëpërmjet deklaratave të zëdhënësit të Edi Ramës, Erion Veliaj ka deklaruar se nëse fitojnëe zgjedhjet do të bëjnë qeveri me demokratët. Kjo deklaratë e socialistëve është bërë nga Erion Veliaj në një të përditshme ditën e djeshme. Ky qëndrim i Veliajt vjen në unison me një deklaratë të deputetit socialist Ben Blushi, i cili nuik përjashtonte mundësinë e një koalicioni me Berishën.  Ndërkohë që po dje lideri i LSI, Ilir Meta,  në një konferencë për shtyp ka deklaruar se  koalicioni i partisë së tij do të bëhet vetëm me PS, nëse nuk realizojnë dot   fitoren e zgjedhjeve në 28 qershor. Nëpërmjet kësaj deklarate LSI sqaron qëndrimin e saj para elektoratit të majtë, duke rrëzuar akuzat e fundit të PS për një bashkëpunim të LSI me PD.
Deklarata e Metës  e duket se ka vënë në vështirësi lidershipin socialist i cili bën publik qëndrimet e tij rreth një bashkëpunimi të mundshëm me PD. Intervista e djeshme e Erion Velisë si një zëdhënës i zellshëm i Edi Ramës se, nëse PS do të fitonte zgjedhjet në qeveri do të kishte edhe demokratë si Besnik Mustafaj, Gazmend Oketa,Aleksandër Biberaj, dhe Florian Mima, mesa duket po nxjerr në skenë skemën e Edi Ramës për  një bashkëpunim të mundshëm me PD. Gjithashtu, Veliaj ka shprehur dëshirën të ishte kryetar i bashkisë së Tiranës,nëse Rama do të bëhej kryeministër. Lideri i LSI, Meta lidhur me koalicionin u shpreh se në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme në këto zgjedhje, padyshim që LSI koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe natyrisht në radhë të parë me Partinë Socialiste. Ai theksoi se ne asnjëherë nuk na ka ndarë dhe nuk na ndan asnjë gjë nga socialistët dhe idealet e tyre për një Shqipëri më të mirë, në themel të së cilës të jetë solidariteti dhe jo intrigat, as të Berishës dhe as të atyre të tjerëve që i pëlqejnë intrigat e Berishës. Thirrjes së kryeministrit Berisha për koalicion, Meta i është përgjigjur me injorim, duke u shprehur se ne na vjen keq për politikanin që është në prag të pensionit të 28 Qershorit, z. Berisha, që vazhdon me diversionet e tij pa kripë, pasi nuk është Berisha ai që përcakton se me kë bën koalicion Lëvizja Socialiste për Integrim, por është pikërisht Lëvizja Socialiste për Integrim ajo që e ka bërë të qartë dhe që e konfirmon edhe një herë tjetër dhe me forcë, që synon fitoren e zgjedhjeve të 28 Qershorit me koalicionin e saj.
LSI, marrëveshje bashkëpunimi me partinë DLNJ
Lideri i LSI, Ilir Meta nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 Qershorit, me Partinë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Marrëveshjen e bashkëpunimit e firmosën, lideri i LSI, Ilir Meta dhe kryetari i PDLNJ, Ligoraq Karamelo. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se besoj në një bashkëpunim të suksesshëm me Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, sidomos në disa prej qarqeve, ku ajo ka arritur të ketë një sukses të dukshëm edhe në zgjedhjet e fundit vendore. Ai vijoi se si dy forca të reja politike së bashku edhe me të tjera forca të reja politike, të një koalicioni të ri, Meta shprehu bindjen se në këtë mënyrë jo vetëm do të kontribuojnë për të identifikuar përmes këtij koalicioni disa prioritete shumë të rëndësishme të qeverisjes së ardhshme, por edhe për të integruar sa më shumë faktorë të rëndësishëm që do të kontribuojnë për alternativën tonë në mënyrë që ajo të jetë fituese në zgjedhjet e 28 Qershorit. Ndërsa, kryetari i PDLNJ, Logoraq Karamelo nënvizoi se lidershipi i kësaj partie, Meta dhe ekipi që ai drejton, është garancia e suksesit të kësaj partie në këto zgjedhje. Ai tha se Meta ka treguar se di të qeverisë me aftësi dhe me përkushtim, madje edhe në momente të vështira në sfida tepër delikate, sepse ai karakterizohet nga aftësia, vendosmëria deri në fund, nga mbajtja e fjalës së dhënë dhe nga integriteti që gëzon si politikan i ri dhe me reputacion në jetën politike të vendit dhe jashtë saj.Partia jonë do synojë të përmirësojë në këtë koalicion standardin e lirive dhe të drejtave të njeriut, të pakicave, të drejtat e emigrantëve, dhe do bëhet promotore që këto të drejta dhe liritë e njeriut të shërbejnë në integrimin e vendit tonë në Evropë, u shpreh Karamelo. Ai deklaroi se dy forcat politike do të kontribuojmë të përmirësojmë imazhin e përfaqësimit politik të minoritetit etnik grek për të liruar atë nga pengmarrësit të cilët abuzojnë në emër të tij, dhe bëjnë pazare në kurriz të tij, dhe do e kthejmë këtë minoritet në një promotor mirëkuptimi dhe që do të shërbejë në proceset integruese të Shqipërisë. Gjithashtu, deklaroi Karamelo se dy koalicionet do të rrisin dinjitetin e çdo qytetari shqiptar, kudo ku ai ndodhet, sepse do të garantojnë realizimin e të drejtave themelore, të drejtës për një jetë më të mirë, të drejtën për punë, të drejtën e emigrantëve, të drejtën për votën e lirë, të drejtën e pronës, dhe mbi të gjitha të drejtën për një qeverisje të qartë efektive dhe në dobi të interesave të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›