Brenda PBDNJ ekzistojnë dy rryma, që mbështesin dy krahët e politikës në vend
PBDNJ ka shënjestruar strukturat shtetërore dhe në veçanti ato të drejtësisë shqiptare, për rastin Bollano. Kreu i këtij subjekti politik Vangjel Dule e ka quajtur procesin gjyqësor në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës dhe njëkohësisht kreut të OMONIA-s Vasil Bollano, një absurditet që kërkon ta mbajë Shqipërinë larg asaj, që po ndodh në vendet e tjera të Evropës moderne. Dule këtë dhe deklarata të tjera, i ka bërë prezente gjatë një takimi me strukturat drejtuese të PBDNJ mbrëmjen e të premtes në Gjirokastër.
Sipas Dules, dënimi i Vasil Bollanos vjen vetëm se kërkoi që edhe në Shqipëri të zbatohet Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Kjo e drejtë sipas liderit të PBDNJ, është ratifikuar edhe nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë dhe është pjesë e legjislacionit të vendit. Për Dulen gjithçka që ka ndodhur deri në këto momente nga ana e drejtësisë shqiptare, me pak fjalë është një absurditet, i cili do të ndikojë direkt në imazhin e vendit para Botës. Zoti Dule, është shmangur përgjatë gjithë takimit të djeshëm, të pozicionojë PBDNJ në ndonjë koalicion paraelektoral qoftë majtas apo djathtas. Burime mjaft të besueshme brenda PBDNJ, kanë bërë të ditur për gazetën SOT se në këtë parti ekzistojnë dy rryma, që mbështesin secila dy krahët e politikës në vend. Një prej grupimeve, i cili konsiderohet edhe më i madhi, kërkon që PBDNJ të pozicionohet dukshëm me koalicionin aktual qeveritar në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa grupimi tjetër, dëshiron që koalicioni të zgjidhet pas mësimit të rezultateve të zgjedhjeve. Kundër një aleance para dhe paselektorale me socialistët, janë shprehur edhe përfaqësuesit vendor të PBDNJ në Gjirokastër, të cilët zotërojnë prej katër vitesh poste të rëndësishme në drejtimin e ndërmarrjeve publike si në Zyrën e Punësimit, Drejtorinë e Trajnimit Profesional, Drejtorinë e Rrugëve në Gjirokastër, Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve, Drejtorinë e Ujërave Fshat etj, për të kulmuar me postin e Prefektit të Gjirokastrës i cili mbahet nga Spiro Ksera.