Basha propozon “Shengen” për rajonin e Ballkanit
Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, propozoi dje, gjatë fjalës së mbajtur në ditën e dytë të konferencës së ambasadorëve, liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit të Ballkanit. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, u kërkoi homologëve diplomatë të vendeve të rajonit të punojnë për liberalizimin e vizave mes këtyre vendeve. Basha u shpreh i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje për liberalizimin e vizave, të ngjashme me marrëveshjen që u nënshkrua me Maqedoninë, me të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit. “Krijimi i një zone të lirë tregtare për Europën Juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk është i plotë dhe nuk mund të jetë funksional pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajon”, - është shprehur shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha. Ministri i Jashtëm e cilësoi paradoksale faktin që dialogu për liberalizimin e vizave me BE-në avancon ndërkohë që një veprim i tillë nuk është arritur ende mes vendeve të Europës Juglindore, ambasadorët e të cilëve ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet. “Është paradoksale dhe e pashpjegueshme që ndërkohë që avancojmë me dialogun e liberalizimit të vizave me BE-në, ne ende nuk e kemi arritur këtë mes nesh. Nga Tirana deri në kufirin slloven duhen kaluar 5 pika kufitare, 5 kontrolle, 5 ndalesa me orë të tëra të humbura, sidomos në sezonin turistik, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë nga Sllovenia deri në pikën më të largët me Finlandën. Heqja sa më parë e vizave dhe e kontrolleve kufitare të panevojshme çliron energjitë e sipërmarrjes, ul kostot për individët e ndërmarrjet, rrit kontaktet njerëzore, shton aktivitetet reciproke, i shërben mobilitetit turistik dhe favorizon njohjen me njëri-tjetrin”, - është shprehur ministri shqiptar i Punëve të Jashtme. Kryediplomati shqiptar shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në negociata me të gjitha vendet e rajonit dhe të përfundojë marrëveshjet e lëvizjes së lirë, siç u bë gjatë këtij viti me Maqedoninë, duke shengenizuar sa më parë rajonin tonë. Konferenca e ambasadorëve nisi punimet ditën e hënë dhe do të zhvillohet deri më 31 tetor. Punimet e saj u përshëndetën një ditë më parë nga ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, i cili në takimet që zhvilloi me krerët më të lartë të vendit u shpreh se liberalizimi i vizave për shqiptarët mund të konkretizohet në qershor të 2009-s.
29 Tetor 2008