Rama: “Beteja nuk është mes meje dhe Berishës, por mes së shkuarës dhe së ardhmes”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim në qytetin e Gramshit, me banorë të këtij qyteti të harruar e të lënë pas dore, në izolim të plotë. Në këtë takim, duke bashkëbiseduar me gramshiotë, Rama është shprehur për një bashkim të ri, përtej mureve ndarëse që kanë vendosur partitë mes njerëzve duke i lënë çdo ditë e më shumë në varfëri, papunësi e mungesë perspektive. Rama tha se beteja e zgjedhjeve të ardhshme nuk është midis tij dhe Berishës, por mes së shkuarës dhe të ardhmes të shqiptarëve.
“Beteja nuk është një betejë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Kjo është një betejë mes familjeve shqiptare dhe varfërisë, mes familjeve shqiptare dhe papunësisë, mes familjeve shqiptare dhe injorancës, mes familjeve shqiptare dhe korrupsionit e dhunës, mes familjeve shqiptare dhe së nesërmes, që familjet shqiptare të mund të gdhihen pa ankthin e bukës, pa ankthin se me çfarë do ta çojnë fëmijën në shkollë, pa ankthin se çfarë do të bëjë fëmija pasi të mbarojë shkollën, pa ankthin e papunësisë, pa ankthin se si do ta çojnë të moshuarin në spital, sepse analizat nuk bëhen më në spital dhe aspirina jepet me pagesë”, - tha Rama.
29 Tetor 2008