E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ligjeve, debat për strukturën e Avokatit të Shtetit



Qëndrimi i deputetëve të opozitës është përçarë dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, gjatë diskutimit për çdo nen të projektligjit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë për Avokaturën e Shtetit. Kështu, deputeti Bashkim Fino përkrahu qëndrimin e deputetëve demokratë për mospërcaktimin në ligj të strukturës së Avokatit të Shtetit. Fino u shpreh se struktura e institucionit duhet të hartohet nga ministri i Drejtësisë dhe të miratohet me firmën e kryeministrit. Sipas Finos, ky vendim i jep më tepër kompetenca institucionit të kryeministrit, pasi, sipas tij, në rast se struktura do të jetë e përcaktuar në ligj, atëherë kryeministri nuk ka mundësi të miratojë një zyrë avokatie në një vend ku ka nevojë. “Ju po paragjykoni kryeministrin e vendit duke përcaktuar në ligj strukturë. Gjëja më e mirë është që struktura të hartohet nga ministri dhe të përcaktohet me firmë të kryeministrit. Unë po kërkoj të mbroj institucionin e kryeministrit, pavarësisht personit kush është sot kryeministër. Unë kam qenë vetë kryeministër ndaj dhe e di këtë. Kryeministri duhet të ketë të drejtë të përcaktojë një zyrë aty ku ka nevojë, jo t’i lidhen duart, nëse struktura përcaktohet në ligj”, - është shprehur Fino. Por ky propozim i tij është kundërshtuar nga deputeti tjetër socialist Besnik Dervishi. Ai u shpreh se struktura duhet të jetë qartësisht e përcaktuar në ligj, në mënyrë që të mos lihet “në dorë të orekseve të ministrit apo kryeministrit”. Deputetët miratuan gjatë mbledhjes së djeshme vetëm 5 nenet e para të projektligjit “Për Avokatin e Shtetit”. Ky projektligj sjell një riorganizim të kësaj strukture. Risia qëndron në rolin këshillues që merr Avokati i Shtetit pranë çdo ministri për hartimin e akteve dhe projektligjeve, si dhe në përfaqësimin e Avoktatit të Shtetit me një zyrë të posaçme në Strasburg. Kjo zyrë do të mbrojë të drejtat e shtetit shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›