E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: “Pakt PD-PS për zgjedhjet?! Jo e vërtetë”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, hodhi poshtë të gjithë zërat për një marrëveshje të mundshme PD-PS në lidhje me reformën zgjedhore. Patozi tha se një gjë e tillë nuk është absolutisht e vërtetë.
“Përsa i përket reformës zgjedhore ka një klimë të panevojshme tensioni, ku disa parti po akuzojnë për arritjen e një marrëveshjeje midis PD-së dhe PS-së, që, sipas tyre, do të dëmtonte partitë e vogla. Një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë, pasi kjo është një klimë politike që mbështetet te thashethemi dhe jo tek ajo që ndodh realisht", - tha Patozi.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike argumentoi se bashkëpunimi midis PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore është një problem që nuk duhet trajtuar si një sfidë midis partive të mëdha dhe partive të vogla, por si një zgjidhje për interesat jetike dhe për stabilitetin politik të vendit. Më tej, Patozi tha se nëse do të kishte një pakt PD-PS, këto dy parti do të propozonin sistemin maxhoritar, tek i cili kanë më shumë interes, dhe jo sistemin proporcional. “Në rast se do ta trajtonim si një çështje midis partive të mëdha dhe atyre të vogla, unë do të theksoja se PD-ja dhe sigurisht edhe PS-ja janë parti maxhoritare dhe po të ishte në interesin e tyre të drejtpërdrejtë ato do të parapëlqenin dhe do të vendosnin për një sistem të pastër dhe maxhoritar. Fakti që ne e kemi zhvendosur debatin nga sistemi maxhoritar në atë proporcional, do të thotë që partitë e mëdha, qoftë PD-ja, qoftë PS-ja, kanë bërë një koncesion të madh në raport me interesat e tyre", - tha kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së.
Sipas tij, "ky koncesion duhet të njihet dhe ky koncesion nuk mund të shkojë deri në fund për të kënaqur interesat meskine, të cilat në fund të fundit kërkojnë që të devijojnë apo të deformojnë votën e shqiptarëve në zgjedhje".
Lidhur me bllokimin e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Patozi deklaroi se shkaku kryesor kanë qenë pretendimet dhe mosmarrëveshjet e partive të vogla. “Ende nuk ka një vendim të të gjitha partive për të pranuar një sistem, i cili do të na bëjë të ecim përpara. Megjithatë, edhe pse është herët për të folur për një hap konkret të sistemit apo të çështjeve të tjera që përfshijnë kodin elektoral, partitë dhe drejtuesit e tyre do ta gjejnë gjuhën e përbashkët dhe kjo është e rëndësishme”, - tha kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›