E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, reporterëve të KiE-së: Po plotësojmë kushtet për liberalizimin e vizave



Shqipëria po vazhdon me realizimin e kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian, me qëllim liberalizmin e vizave brenda vitit 2010. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë takimit me reporterët e Këshillit të Evropës, David Wilshire dhe Jaako Laakso, i informoi ata për progresin e arritur në përmbushjen e kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE-në. Shqipëria është në përfundim të sistemit, i cili do t’i japë mundësi kontrollit të kufijve në të gjithë territorin e vendit, si edhe pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportat biometrike. Ministri i Brendshëm u shpreh se Shqipëria ka ritmin më të lartë në rajon, për sa i përket pajisjes me pasaporta biometrike. “Sistemi i aplikimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, është i sigurt, nga më modernët në Evropë dhe njëkohësisht ofron shpejtësinë optimale të shërbimit ndaj qytetarëve. Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri më tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar”, - u shpreh Basha, duke theksuar se “ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon”.

Për sa i takon një kushti tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e vizave, që është siguria e kufijve, ministri i Brendshëm informoi reporterët se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, në këto pika është mundësuar lidhja e drejtpërdrejtë me bazën e të dhënave të Interpolit, e po kështu lidhja me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. “Ndërkohë po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin “one stop shop”, që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, e fitosanitar. Në të njëjtën mënyrë, në bazë të vendimit të qeverisë po punohet për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar”, - përfundoi ai.

Gjatë takimit me reporterët Wilshire dhe Laakso, Basha i informoi ata edhe për luftën e vazhdueshme me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Në këtë aspekt numri një i Ministrisë së Brendshme u shpreh se mesatarja e kriminalitetit në Shqipëri është vlerësuar më e ulët se në vendet e BE-se. Po kështu në raportin e fundit, Departamenti i Shtetit të SHBA-së e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim për sa i takon trafikimit të qenieve njerëzore. Lufta ndaj trafikut të drogës po ashtu ka njohur rezultate të larta. Gjatë takimit, dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vlerësuan progresin e arritur në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE-në, duke e cilësuar punën e kryer deri më tani si mjaft efektive dhe të suksesshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›