Basha shkarkon 51 inspektorë

Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka vijuar largimet nga puna, teksa këtë radhë ka vendosur që të shkarkojë 51 inspektorë.
Sipas një njoftimi të bashkisë, shkaku zyrtar i shkarkimit të tyre ka qenë performanca e ulët dhe favorizimi i informalitetit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës vendosi lirimin nga detyra të 51 inspektorëve, nisur nga performanca e ulët dhe favorizimi i informalitetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka analizuar punën 7 mujore të secilit prej inspektorëve dhe ka konstatuar se të liruarit nga detyra nuk kanë kryer detyrën, duke mos bërë kontrolle sipas ligjit, duke lejuar informalitet, deri në rritje të borxhit ndaj Bashkisë”, thuhet në një njoftim të shkurtër të baskisë.
Kjo shihet si një hakmarrje ndaj këtyre punonjësve dhe tashmë ata pritet që të zëvendësohen me militantët, që kanë mbështetur Bashën gjatë fushatës së tij zgjedhor.