Basha shmang prokurorinë: Kërkesa e akuzës me prapavijë politike
Lulzim Basha, ish-ministër i Transporteve dhe aktualisht ministër i Jashtëm, nuk është paraqitur dje në Prokurorinë e Përgjithshme, por ka dërguar avokatin e tij, Zef Nikaj, i cili i ka komunikuar organit të akuzës një kundërpadi të bërë në adresë të saj në gjykatë. Vetë Basha ka preferuar t’i shmanget përballjes me prokurorinë, e cila dje kishte planifikuar t’i komunikonte akuzën për abuzim me detyrën dhe shpërdorim të fondeve të shuma të mëdha në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.
Padia
Avokati i ministrit të Jashtëm, Nikaj, nuk ka qëndruar më shumë se disa minuta në zyrën e prokurorit të çështjes, Arben Kraja, dhe më pas ka preferuar të komunikojë me gazetarët jashtë dyerve të prokurorisë, ku ka lexuar dhe një deklaratë, me anë të së cilës ai lajmëroi dhe padinë që ka ngritur në gjykatën e rrethit ndaj organit të akuzës për parregullsi në procedurën e thirrjes së klientit të tij në gjykatë si i pandehur. Nikaj u shpreh se e gjithë praktika e ndjekur nga prokuroria, sipas tij, është një abuzim me pushtetin që po bën organi i akuzës ndaj zyrtarit më të lartë të akuzuar për këtë çështje. “Në thelb këto veprime në tërësinë e tyre tregojnë abuzim me pushtetin ligjor nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe shkelje të dispozitave të Kushtetutës së Shqipërisë që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat dhe liritë e individit për një proces të rregullt ligjor”. Avokati i Bashës i kujtoi dhe njëherë prokurorisë vendimin e Gjykatës së Faktit, e cila pezullon çështjen ndaj klientit të tij. “Me Vendim të datës 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë ka vendosur të pranojë kërkesën për anulim të vendimit për zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal nr. 1 të vitit 2007. Sipas këtij vendimi, i marrë në bazë të nenit 325 të Kodit të Procedurës Penale, dhe bazuar në nenin 325 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale “hetimet nuk mund të vazhdojn녔. Pra, pas datës 06-11-2008 nuk mund të kryhet asnjë veprim hetimor për llogari të kësaj çështjeje, përndryshe çdo veprim është absolutisht i pavlefshëm dhe i papërdorshëm”, - tha Nikaj, duke shtuar se veprimet e prokurorisë kanë prapavijë politike.
“Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit të gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kësaj çështjeje dhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme. Për të gjitha këto veprime arbitrare në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin dhe Kushtetutën do të ndjekim rrugën ligjore nga ana jonë”, - përfundon deklarata e avokatit të Lulzim Bashës.
Prokuroria
Hetuesit e kësaj çështjeje edhe dje kanë vijuar me procedurën e tyre, duke u shprehur se nuk ka qenë e detyruar që Basha të njihet me akuzën personalisht. E meqë dhe vetë avokati nuk e ka marrë përsipër një gjë të tillë, atëherë prokuroria ka vijuar me fazën e dytë të veprimeve, dërgimin e padisë përmes postës.
Edhe në dosjen e përgatitur nga prokuroria për t’u dërguar në gjykatë theksohet fakti se Basha i është shmangur hetimit. “Është thirrur për t`u paraqitur shtetasi Lulzim Basha në datën 29.05.2007, në orën 14.00, për të dhënë deklarim për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, si dhe për t`u pyetur në lidhje me kallëzimin e bërë nga ana e tij. Nëpërmjet sekretares së tij ka njoftuar organin procedues nëpërmjet telefonit, se do të paraqitet në një datë tjetër për shkak të impenjimeve të punës së tij. Ky shtetas nuk ka marrë në telefon, ka kaluar një javë nga thirrja në prokurori e tij. Nga ana jonë në adresë të tij është dërguar një fletëthirrje e dytë, por z. Lulzim Basha ka njoftuar në telefon nëpërmjet sekretares se do të paraqitet në një datë tjetër për shkak të impenjimeve të punës si ministër. Ka kaluar një kohë e gjatë dhe ky shtetas nuk ka marrë në telefon për t`u paraqitur për t’u pyetur. Pra, e thënë me fjalë të tjera, ky shtetas po i shmanget hetimit”, - thuhet në dosjen e prokurorisë, në pjesën ku flitet për personat e pyetur.
Ndërkohë, prokuroria ende nuk ka asnjë reagim në lidhje me padinë që është ngritur ndaj tyre se po shkelin një vendim gjykate që nuk lejon kryerjen e hetimeve për këtë çështje. Organi i akuzës e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit në pritje të një vendimi prej tyre.
PD: Opozita e ka shndërruar prokurorinë në vegël për të sulmuar mazhorancën
Çështja e thirrjes në prokurori të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ka ngjallur debat në seancën e Kuvendit. Nga ana e saj, mazhoranca ka akuzuar Partinë Socialiste se e ka kthyer prokurorinë në vegël të saj për të sulmuar mazhorancën. Deputeti i PD, Ferdinand Xhaferri, u shpreh se prokuroria po vazhdon të mbajë nën hetim për arsye politike ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. “Presioni juaj për ta transformuar prokurorinë në drejtorinë juridike të Partisë Socialiste, nuk është se nuk ka pasur frute. Një rezultat ka qenë. Dhe rezultati i madh është ky: që prokuroria vazhdon të hetojë një çështje, megjithëse ka një urdhër të gjykatës për pezullim hetimesh. Prokuroria u detyrua të tërhiqej nga hetimi i Drejtoreshës së Përgjithshme e Rrugëve dhe nga ai i ish-zëvendësministrit Armand Teliti, por për arsye politike vazhdon të mbajë në hetim ish-ministrin e Transporteve, sot ministër i Jashtëm. Ky është produktiviteti i parë i punës tuaj, ashtu sikundër dihet dhe një fakt tjetër që prokuroria nuk ka hapur asnjë dosje karshi jush”, - tha Xhaferri. Por deputetit të PD i është përgjigjur në fjalën e tij deputeti i PS, Taulant Balla, i cili u shpreh se “jetojmë në një vend, ku po të vjedhësh pak, quhesh hajdut, ndërsa kur vjedh miliona euro, mazhoranca të shndërron në hero. “Fjalimi i parafolësit është si ajo thënia “Loni prej betoni, Luli prej milioni”, sepse ka një problem shumë të madh, se në këtë vend, një xhepist quhet hajdut, ndërsa po vodhe 230 milionë euro, bëhesh hero. Dhe ky individi që mori në mbrojtje parafolësi, një prokurori me një prokurore që ju keni votuar pro, e keni zgjedhur ju, është thirrur për t’u njoftuar për procedimin penal, si i pandehur për një aferë korruptive 230 mln euro”.