Nuk ka më “Diell të vështirë” për poetin
Koha e keqe kaloi..! Tashmë ai është i mirëpritur nga shumë lexues, studiues e kritikë. Ja pra, “Diell i vështirë”, antologjia poetike e poetit Ferik Ferra ka pasur fatin që në një periudhë të shkurtër kohe të botohet në dy gjuhë të huaja. Sapo mbërriti lajmi nga Bukureshti se poezitë e vëllimit poetik “Dielli i vështirë” janë përkthyer dhe botuar në rumanisht “Soare dificil”, përkthyer në gjuhën rumune nga Kopi Kyçyku, nga botimet “Haemus”, Bukuresht, në ditën e enjte në mbrëmje organizohet edhe promovimi i botimit të kësaj vepre në gjuhën italiane.
Promovimi zhvillohet në mjediset e Hotel Internacinal në Tiranë me mbështetjen e Prof. Adriano Ciani-t, Departamentit të Gjuhës Italiane në UT, Shoqatës “Dante Aligieri” dhe bordit drejtues. Antologjia poetike shqip italisht “Sole Difficile” (Diell i vështirë) pati një promovim interesant, jo vetëm për nga rëndësia e veprës, por edhe për pjesëmarrjen dhe mënyrën e organizimit të këtij aktiviteti. Promovimi i antologjisë poetike të Ferrik Ferrës ishte njëkohësisht edhe një manifest i poezisë së krijuar në rrethinat e lirisë së plotë shpirtërore.
Poeti 75 vjeçar Ferra, radhitet i dyti poet pas Lasgush Poradecit që jetoi diktaturën dhe nuk e përshtati poezinë me idealet e saj.
Pjesëmarrësit dhe miqtë e poetit bashkë me studentët e Departamentit të Italishtes në Universitetin e Tiranës shfaqën të gjithë diapazonin krijues të poetit, sa në nivelet estetike edhe në rafshet gjuhësore. Fjalën e hapjes e mbajti prof. Adriano Ciani, i cili e vlerësoj si “një nder i madh që i bëhet gjuhës italiane me prurjen e njërit prej poetëve më të mirë shqiptar Ferik Ferra”. Vështrimet stilistike të poezisë i paraqiti profesor Alfred Uçi, estet e studiues i njohur, i cili pas analizës së hollësishme të kësaj krijimtarie që doli kaq vonë në dritën e botimit për arsye tashmë të njohura, e konfirmoi poetin Ferra si një nga mjeshtërit e mëdhenjë të poezisë shqipe. Madje ai theksoi se “poezia e Ferrës qe me fat që nuk u botua në Diktaturë, sepse atëhere arti ishte i detyruar të përshtatej me normat e saj”. Profesor Uçi e konsideroj poezinë e poetit Ferra si një prurje me vlera të mëdha estetike dhe stilistike dhe pohoj se “Poezia e Ferrës është padyshim një nga ato poezi që duhet të futen në antologjinë e zgjedhur të poezisë shqipe. Kanë evidentuar më tej vlerat e kësaj poezie, përkthyesi i veprës nga shqipja në italisht, Kadri Vokopola, i cili ndër të tjera tha se “poeti Ferra është një poet i gjithanshëm dhe eklektik, sepse krijimtaria e tij shtrihet me një lirshmëri befasuese në çdo zhanër të poezisë, nga soneti te lirikat e deri edhe tek poezitë epike”. Më tej ai u shpreh se “duke përdorur një gjuhë mjaft të pasur me figura letrare dhe duke shfrytëzuar një fjalor të shumë formave dialektore, poeti i hap shumë punë përkthyesit, por në të njëjtën kohë i jep edhe kënaqësinë e përkthimit të një vepre letrare shumë të çmuar e me vlera të padiskutueshme estetike”. Dëfrim Cani e ka konsideruar poezinë e Ferrës si një poezi në lulëzim të ngahershëm dhe këtë e komenton se “ka të bëjë thjesht me një raport fondamental të njeriut që akumulon poezi kohë pas kohe”. Në të vërtetë akumulues i madh vlerash është poeti Ferra deri sa ai mbërriti në ditën e njohjes së tij, dhe kjo ndodhi jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të përbotshme. Ka pasur diksutime të lira ndërkohë nga pedagogë të Katedrës Italiane, nga redaktori i antologjisë, Abedin Preza, të cilat janë shoqëruar me recitime në italisht dhe shqip nga krijimtaria e autorit. Recitimet i kanë nxitur studentët të mos ngurrojnë që të shprehin edhe ndjesitë që kishin marrë për secilën poezi të poetit Ferik Ferra. Kjo dinamikë shprehëse e të rinjve e bëri më të larmishëm aktivitetin. U pa se poezia e tij është e mirëpritur nga të gjithë brezat, se po pëlqehet nga të gjithë. Ferra shkruan bukur për gjithçka; për jetën, për dhimbjen, për dashurinë, shkruan për gratë tokësore dhe ato mitike, Ofelinë, Beatriçen, Doruntinën, etj. Kohët në të cilën shfaqet poezia e tij, nuk janë gjthmonë të pranishme. Emra të njohur si Dritëro Agolli, Alfred Uçi, Mimoza Ahmeti e kanë vlerësuar shpirtin poetik dhe forcën shprehëse të vargut të Ferik Ferrës. Në vëllimet e mëparshme poetike ai nuk ka harruar që në fund të tyre të vërë pranë shqipërime të poezive të Bertoluçit, Bllokut, Rilkes, Montales, Bajronit, etj. Në përkthimin e antologjisë së sipërpërmendur në gjuhën rumune shkrimtari i njohur Ardian Kyçyku na kujton se “lloji i vrasjes së poetëve, fatkeqësisht, nuk ngre peshë për historinë e letërsisë, ashtu siç nuk ngrenë peshë ujditë dhe mjetet e përdorura prej dikujt për të mos u dëbuar nga Kujtesa. Vrasja mund të jetë si e Trifon Xhagjikës, si Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, me pushkatim natën e varrosjes në gropë të përbashkët; si e Havzi Nelës...Ndaj ndër të tjera ai thekson që “Ky poet e nis dhe e kryen veprën e vet si nga bota tjetër, pa qenë i pranishëm fizikisht në jetën letrare; ai nuk kërkon me zhurmë e përqarje ndonjë vend nderi në sofrën e poetëve të kombit, nuk ka atje as gotën e vet, as filxhanin, as postiqen, as trumbetën, as ngastrën e taksur për antologjira.., mirëpo kjo nuk lidhet fare me vendin që i ruan atij Sofra e Poezisë së Përhershme”. Bir i një tregtari krutan të mbetur në Itali, pas çlirimit, Ferrik Ferra në kohën e diktaturës nuk mundej që të botonte. Shkruante e meditonte shumë, por e gjitha kjo ndodhte në heshtje. I ka djegur disa nga poezitë që ka shkruar aty nga vitet ‘60. Dhe ja si një “Diell i vështirë” poezia e tij u lind dhe e ruajti ndriçimin dhe u shfaq me dinjitet dhe bukuri, duke iu shtuar më natyrshëm antologjisë poetike të brezit të tij dhe duke e zbukuruar shumë këtë antologji.