E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç fiton tenderin e kompjuterëve në Shqipëri

Nga Tema

Sekseri i qeverisë shqiptare, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, ka arritur të fitojë një tender të rëndësishëm të qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për tenderin për instalimin e kompjuterëve dhe rrjetit në 665 shkolla në vendin tonë dhe që kap një vlerë prej 10 milionë dollarësh. Lajmi është konfirmuar dhe nga mediat e Serbisë. Sipas tyre, në konsorcium serb “MP Soft Group” ka marrë këtë tender. Ato theksojnë faktin se kjo kompani me qendër në Beograd ka degët e saj në Pragë të Çekisë dhe në Limasol të Qipros. Pikërisht, dega e kësaj kompanie në Qipro është e Fazlliç. Ky i fundit ka bërë lobing pranë qeverisë shqiptare për të marrë pikërisht këtë tender prej kohësh. Burime të gazetës “TemA” thonë se një ambasadë perëndimore në Tiranë ka protestuar ndaj vendimit të qeverisë për të favorizuar firmën e Damir Fazlliç.

E kështu, një tjetër fushë ku Fazlliç e ka parë veten të favorizuar nga qeveria shqiptare është ajo e teknologjisë së komunikimit.

Emri i boshnjakut filloi të qarkullojë së fundi në mediat shqiptare, ndërkohë që në nëntokën e pazareve të familjes kryeministrore ai është protagonist që nga nisja e mandatit për qeverisje të Partisë Demokratike.

Gazeta “TemA” është e para që nisi denoncimin ndaj aferave të tij, me një seri shkrimesh për këtë personazh dhe fijet e tij që shkojnë thellë në aktet më kriminale në rajon, siç është vrasja e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç.

I quajtur si një shantazhues dhe një mashtrues, ai është përfshirë në shumë afera në të gjitha vendet e rajonit.

Në Shqipëri emri i tij filloi të përflitej shumë pas botimit të disa materialeve për një transfertë milionëshe të tij në drejtim të ortakes së vajzës së kryeministrit, Sali Berisha, nga një firmë e tij pa asnjë aktivitet financiar, madje me borxhe në shtet. Firma kishte për administrator kunatin e ministrit Lulzim Basha, duke mbyllur kështu qarkun e përfolur gjithmonë në media mes Argitës dhe Lulzimit.

Më pas në dritë dolën të tjera afera të tij në fushën e ndërtimeve, energjisë, karburanteve, pasurive të patundshme. Vetë ai e pranoi në një intervistë që është mik i kryeministrit Berisha dhe klient i së bijës. Madje ai tha që pas arrestimit në Bosnjë në prani të njërit prej kriminelëve dhe sekserëve më të mëdhenj boshnjakë, atë e ka telefonuar kryeministri, Sali Berisha, duke e pyetur për këtë ngjarje.

Me një shkollim gjysmak në shkolla të shtrenjta, i lidhur me fije familjare me famëkeqin e UDB, Stanishiç, Fazlliç ka pranuar se pa bërë asnjë aktivitet në Shqipëri ka arritur të bëjë 50 milionë dollarë brenda një kohe të shkurtër.

“MP Soft Group” fiton një tender në Shqipëri

ANSAmed

Konsorciumi teknologjik serb i “MP Soft dhe CT Computers” ka fituar një tender për të instaluar kompjuterë në 665 shkolla në Shqipëri, bëri të ditur “MP Soft Group”.

I gjithë operacioni kap vlerën e më shumë se 10 milionë dollarëve, i tha kompania agjencisë së lajmeve BETA.

Siç specifikohet, kompanitë serbe do të instalojnë platformat e rrjetit dhe do të vënë në punë më shumë se 10 mijë kompjuterë, printerë dhe skanerë sipas një projekti të Ministrisë shqiptare të Arsimit dhe Shkencës, financuar nga Banka Botërore.

“MP Soft Group”, me selitë qendrore në Beograd, u themelua në vitin 1990 dhe ka degë në Pragë, Republika Çeke dhe në Limasol të Qipros. “CT Computers” është pjesë e “ComTrade Group”.

Fazlliç: Prokuroria po më pengon në projektet e mia për zhvillimin e Shqipërisë dhe hapjen e vendeve të punës

Damir Fazlliç së bashku me ekipin e tij të mbrojtjes ligjore kanë reaguar dje në lidhje me shqyrtimin gjyqësor që po i bëhet atij.

Me një gjuhë tipike prej një shantazhuesi, Fazlliç fillimisht ka sulmuar ashpër prokurorinë për hetimet që po ndërmerr ndaj tij dhe më pas ka zgjedhur të bëjë lëvdata ndaj saj duke shprehur besim se ajo do e zgjidhë në mënyrë të drejtë këtë çështje.

Sipas tij, zgjatja e kërkuar nga prokuroria për të hetuar, është dëshmi e pafajësisë së tij. “Seanca e djeshme gjyqësore kundër sekuestrimit të njëanshëm nga prokurorët të pasurive në Shqipëri ishte irrituese.

Ishte irrituese, pasi avokatët mbrojtës shkuan në seancë të përgatitur për të demonstruar që sekuestrimi nga ana e prokurorëve është i paligjshëm nën ligjin shqiptar dhe për më tepër i gjithë hetimi është krejtësisht i pabazë, por i nxitur vetëm e vetëm nga historitë keqdashëse dhe të pavërteta rreth tij nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar”, - thuhet në prononcimin e Fazlliç.

“Por, avokatët e patën krejtësisht të pamundur ta bënin këtë gjë, pasi prokurorët, krejtësisht të papërgatitur për të provuar të kundërtën, kërkuan zgjatje kohe, brenda së cilës të mund të përgjigjen dhe të përpiqen të justifikojnë veprimet e marra që një muaj më parë”, - vijon qëndrimi i Fazlliç.

Këtu vjen edhe qëndrimi tjetër i biznesmenit Fazlliç. Ai thotë se “ndonëse besimi i tij në këtë proces është lëkundur, vazhdon të besojë se profesionalizmi i atyre që janë përfshirë në këtë çështje do të sjellë më në fund pastrimin e emrit të tij”.

Por ajo që e tremb më shumë Fazlliç është fakti se të tjera afera do të publikohen në media gjatë kësaj periudhe. Ai e quan këtë fushatë të motivuar politikisht. “Kjo zgjatje e procesit po bën të mundur që elementë të caktuar të medias të vazhdojnë fushatën e tyre të motivuar politikisht dhe të padrejtë kundër tij”.

“Duke qenë se hetimi për “pastrim të supozuar parash” ndaj z. Fazlliç nisi vetëm për shkak të raportimeve të ngjashme të gënjeshtërta të disa mediave, inkurajojmë prokurorët të heqin sekuestrimin, të përfundojnë sa më shpejt hetimin e tyre dhe ta çlirojnë z. Fazlliç nga akuzat për keqbërje”.

Në përfundim të deklaratës, Fazlliç gjen momentin të sulmojë mediat dhe të thotë se ai po e ndihmon Shqipërinë me vende pune.

“Ndoshta disa elementë të medies në Shqipëri mendojnë se njerëzit janë budallenj, se njerëzit besojnë çdo gjë që lexojnë dhe se në Shqipëri individi është fajtor, derisa të provohet i pafajshëm”.

Këtu, Fazlliç thekson se ai “nuk ndan një mendim të tillë të ulët për njerëzit apo për ligjin”, duke shtuar: “Kjo është arsyeja që dëshiron t'i çojë përpara projektet e tij në Shqipëri, duke ndihmuar kështu edhe në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenies së vendit”.

Sidoqoftë, biznesmeni thekson se “për shkak të hetimit, këto plane janë në pritje dhe projekti i tij, i rrezikuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›