Beja: Do të shqyrtohen projektligjet për dosjet e Sigurimit
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, deklaroi ditën e djeshme se komisioni, që ai drejton po shqyrton letrën e ardhur nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila kërkon që të nisë shqyrtimi i projektligjeve për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Beja tha se në kalendarin e Komisionit të Ligjeve, tri projektligjet për këtë çështje janë të përfshira, çka i hap rrugë e diskutimit të menjëhershëm të tyre. Kryetari i Komisionit të Ligjeve informoi më tej se javën e ardhshme do të caktohen edhe dy relatorët përkatës për projektligjet, një përfaqësues nga mazhoranca dhe një nga opozita, të cilët do të përgatisin materialin që do të diskutohet nga deputetët në komisione. Në Kuvend janë depozituar prej gati dy vitesh tri projektligje që kërkojnë të realizojnë të njëjtin qëllim, por me forma të ndryshme. Projektligjet e paraqitur nga Partia Demokratike, ajo Socialiste dhe ajo Demokristiane, kanë paraqitur në Kuvend variantet e tyre për sa i përket mënyrës së publikut të dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Nga ana tjetër, Shqipëria është një nga vendet e fundit që ka bërë këtë proces, hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit famëkeq të Shtetit. Njëkohësisht edhe Këshilli i Evropës ka kërkuar që në Shqipëri të bëhet sa më shpejt ky proces. Parlamenti shqiptar ka miratuar edhe një rezolutë të Këshillit të Evropës, e cila kërkon domosdoshmërish të dënohen krimet e komunizmit në vend. Beja tha më tej se një Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të ngrihet brenda kësaj jave. Sipas tij, vendimi për ngritjen e këtij komisioni do të merret brenda javës. “Parlamenti do të angazhohet për të përfunduar ndryshimet në Kodin Zgjedhor brenda këtij sesioni”, - tha Fatos Beja. “Jemi të interesuar për të dhënë një zgjidhje ligjore, domethënë që Kuvendi të shprehet me një vendim të krijohet një Komision i Posaçëm për Reformën Zgjedhore”, - ka Beja.