Përdhunimi, i arrestuari i dytë ka alibi
Veprimet e Policisë së Lushnjës pas përdhunimit të një vajze 9 vjeçe në fshatin Ardenicë të Lushnjës kanë shkaktuar reagim të ashpër të banorëve të këtij fshati. Ndërkohë, arrestimi dhe publikimi i emrave të dy të dyshuarve pa pasur prova bindëse ka nxjerrë në pah një problem të rëndë etik që nuk i përket vetëm policisë së Lushnjës, por krejt policisë shqiptare.
ProtestaNjë ditë pas arrestimit të 18-vjeçarit F.Hoxhaj, si autor i dyshuar i përdhunimit të së miturës M.Sh., kanë reaguar bashkëfshatarët e tij në Ardenicë. Dje ata kanë protestuar përpara Komunës së Kolonjës në mbrojtje të të riut dhe kanë akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë mbi të. Ata kanë këmbëngulur në pafajësinë e 18-vjeçarit, duke deklaruar se ai ka alibi dhe se ka qenë në punë në kohën kur ka ndodhur krimi. Fshatarët thonë gjithashtu se policia nuk ka prova dhe e mban të ndaluar pa të drejtë. Ndërkohë, policia pranon se arrestimi është bazuar vetëm në dëshminë e vajzës së mitur, e cila ka njohur agresorin në një fotografi. Gjendja e saj e rënduar psikologjike ka penguar marrjen e më shumë detajeve apo dëshmisë së plotë të ngjarjes. Banorët e Ardenicës, shumica e të cilëve familjarë të të arrestuarit, thonë se autori i vërtetë i përdhunimit është ende i lirë. Përballë banorëve të irrituar ka dalë dje kreu i Komunës Kolonjë, Jakup Beqiri, i cili u ka kërkuar protestuesve të shpërndahen dhe të mos ndikojnë mbi punën e organeve të drejtësisë, duke ushtruar trysni të tilla, por t’i lejojnë të hetojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Arrestimi i të paaftitNjë ditë pas përdhunimit të ndodhur pasditen e së dielës së shkuar, policia ndaloi një tjetër person, të cilin me anë të një komunikate zyrtare e shpalli fajtor për krimin e rëndë. F. Krasniqi, 42 vjeç nga fshati Babunjë i Rrethit të Lushnjës u arrestua të hënën si autor i përdhunimit të së miturës, por u la i lirë të martën, pasi përveç mungesës së provave, policia mësoi se ky person ishte i paaftë të kryente marrëdhënie seksuale për shkak të dëmtimeve fizike të pësuara nga dhuna gjatë kohës që kishte emigruar ilegalisht në Greqi.
AdoleshentiNjë ditë pas arrestimit të Krasniqit, policia nuk dha shumë sqarime për lirimin e tij, por njoftoi zyrtarisht se kishte gjetur autorin e vërtetë të përdhunimit, që është 18-vjeçari F.Hoxhaj nga fshati Ardenicë. Por, megjithëse Hoxhaj u konsiderua fajtor dhe mediave iu vu në dispozicion edhe një foto e tij, policia pranon se nuk ka asnjë provë materiale që vërteton autorësinë e krimit. Policia thotë se ai është njohur nëpërmjet fotografisë nga vogëlushja e përdhunuar, e cila edhe nga vetë policia konfirmohet se është shumë e tronditur për të dhënë detaje të ngjarjes. E vetmja shpresë e policisë për të vërtetuar fajësinë e 18-vjeçarit është kryerja e analizave të ADN-së, proces ky që kërkon të paktën dhjetë ditë kohë. Deri tani, për këtë ngjarje është arrestuar dhe konsideruar përdhunues një person i pafajshëm. Nëse bëhen dy, policisë së Lushnjës do t’i duhet të paguajë miliona lekë dëmshpërblim, vetëm për pakujdesinë në trajtimin e çështjeve të tilla.
#