E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen me arsenal armësh, pesë në prangat e policisë

Durrës Nuk dihet ende nëse armët do të shiteshin, apo përdoreshin nga të arrestuarit

Barut, armë dhe fishekë janë bllokuar nga blutë e Durrësit gjatë një operacioni policor që ka çuar në pranga pesë shtetas. Hetimet ndërkohë do të saktësojnë origjinën dhe destinacionin e armëve dhe municioneve të gjetura, si dhe do të përcaktojnë nëse ato mbaheshin për t’u shitur apo ishin në funksion të përdorimit në ngjarje të rënda kriminale. Nën vëzhgimin e agjentëve policorë, katër të rinj dhe babai i njërit prej tyre janë bërë objekt i kontrolleve në automjete dhe banesa. Rezultatet kanë çuar në arrestimin e të pestëve në flagrancë. Ndaj katër personave është ngritur akuza e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndërsa për një tjetër ajo e moskallëzimit të krimit. Të arrestuarit e operacionit të koduar “Vazhdimësia” janë: Besnik Kryemadhi 23 vjeç, lindur në Gramsh e banues në Shkozet të Durrësit; Enver Voka 21 vjeç, lindur në Kukës e banues në sektorin “Rinia”, i dënuar më parë për vjedhje; Xhelil dhe Bajram Sokoli, babë e bir, përkatësisht 61 dhe 20 vjeç, të lindur në Kukës e banues në plazhin e Durrësit, si dhe Drilon Pjetri 21 vjeç, lindur në Fushë Arrëz e banues në Sektorin “Rinia”. Pjetri është i vetmi që akuzohet për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se ai ka pasur dijeni për mbajtjen e armëve nga shokët e tij. Pesë shtetasve të arrestuar gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre dhe automjete iu bllokuan në cilësinë e provës materiale një pistoletë Zastava e kalibrit 6,35 mm dhe pesë fishekë të të njëjtit kalibër, shtatë armë gjahu të reja të markës “Churchill” të kalibrit 12 mm dhe 270 fishekë të kalibrit 12 mm, si dhe një qese me 12 kilogramë barut. Nga struktura për hetimin e krimeve vazhdon puna hetimore për përcaktimin e origjinës e destinacionit të këtyre armëve e municioneve, ndërsa materialet procedurale për veprat penale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Durrësit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›