SHBA-BE: Qeveria të lërë fjalët
Ndërkombëtarët kanë paralajmëruar sërish qeverinë shqiptare se duhet të kthejë në realitet premtimet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore në vend. Tre diplomatët më të rëndësishëm të akredituar në Shqipëri, përkatësisht ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers; kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan; si dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, kanë theksuar se strategjitë e hartuara deri tani nga qeveria shqiptare kundër trafikut kanë mbetur vetëm copa letrash dhe nuk janë realizuar. Të gjitha këto deklarata u bënë dje në konferencën e organizuar për lançimin e strategjisë kombëtare të luftës ndaj trafikut, e cila u drejtua nga zv/ministrja e Brendshme, Iva Zaimi. Në këtë takim merrnin pjesë përveç ministrit Nishani dhe Kryeprokurores Ina Rama, edhe diplomatët kryesorë dhe krerët e misioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë. Ambasadori amerikan Uidhers deklaroi se "kërkohet një këmbëngulje më e madhe nga ana e qeverisë për të paraqitur masat konkrete shtesë të implementimit të strategjisë së luftës ndaj trafikut". Departamenti i Shtetit pritet që javën e ardhshme të publikojë raportin global kundër trafikimit, ku një aneks të posaçëm do ta ketë edhe Shqipëria. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë i bëri thirrje qeverisë që të gjejë burimet e nevojshme financiare dhe njerëzore për të luftuar trafikun. Diplomati kryesor i Uashingtonit në Shqipëri ka shkuar edhe më larg në kritikat e tij, kur ka theksuar se "deri më tani nuk është bërë asnjë zbatim i strategjive. Qeveria duhet të nisë mekanizmat ligjorë e financiarë për të kaluar nga hartimi i strategjive në zbatim konkret të tyre. Zbatimi i strategjive është pjesa më e vështirë, e cila deri më tani nuk është parë që të vihet në zbatim". Ndërkaq, ambasadori Helmut Lohan, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë i është referuar raportit vjetor të organizatës prestigjioze "Amnesty International" në lidhje me trafikimin. Ambasadori Lohan theksoi se qeveria shqiptare duhet të mbrojë që në origjinë viktimat e trafikut të qenieve njerëzore. Diplomati gjerman, i cili tashmë e njeh shumë mirë realitetin shqiptar, ka dhënë edhe një leksion praktik, duke iu theksuar autoriteteve se detyra e parë e tyre është të evidentojnë e regjistrojnë të gjitha viktimat e trafikut që janë gra dhe fëmijë, por të njëjtën gjë ta bëjnë edhe për dëshmitarët që kanë kurajën të denoncojnë këtë fenomen të dhunshëm. Sepse, realisht, edhe në konferencën e djeshme, deklaratat e autoriteteve shqiptare ishin në vija të përgjithshme pa dhënë statistika të sakta për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore.
Ambasadori Lohan tha se shpresonte që BE do të vazhdonte të financonte projektet kundër trafikimit, por zbatimi i çdo iniciative është gjëja më e rëndësishme dhe çelësi i suksesit.
Ndërkaq, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosh, i cili ishte edhe bashkorganizatori i konferencës së djeshme, tha se "zbatimi i masave për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve është ende në nivel të dobët". Sipas Bosh ka mospërputhje mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe atyre të organizatave ndërkombëtare. Ndërsa Kryeprokurorja Ina Rama shprehu shqetësimin se tashmë fenomeni i trafikut ka ndryshuar formë. Sipas Ramës, nëse deri dje trafikantët e qenieve njerëzore dhe fëmijëve dënoheshin për këtë vepër penale, tani të arrestuarit dënohen për dhënie ndihme për këtë trafik. Sipas Prokurores së Përgjithshme, ky fakt kërkon më shumë vëmendje.