“Basha takoi Nanon, s’pranoj ta gjykoj”
Fatos Mahmutaj
Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako, ish-avokate e familjes Nano, paraqet dorëheqjen nga gjykimi i kërkesës së Andi Tomës dhe Armand Telitit për dosjen “Durrës-Kukës”, por kryetarja e Gjykatës së Lartë refuzon. Shkak për dorëheqjen ka qenë takimi i pak ditëve më parë mes ish-kreut të PS-së dhe ish-kryeministrit Fatos Nano me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, i pandehur në dosjen “Durrës-Kukës”. Ndërsa argumenti i rrëzimit të kërkesës nga kryetarja Shpresa Beçaj ishte fakti se nuk shiheshin elementë të njëanshmërisë në gjykim për këtë çështje. Burime nga Gjykata e Lartë pohojnë se padia e Telitit dhe Tomës për afatet e dosjes “Durrës-Kukës” është dorëzuar në sekretarinë e këtij institucioni më datë 20 janar. Pas hedhjes së shortit elektronik janë caktuar gjykatësit që do e shqyrtojnë ankimin e Prokurorisë, mes të cilëve edhe gjykatësja Evelina Qirjako, e cila ka vetëm pak muaj që është zgjedhur anëtare e kësaj gjykate pas karrierës si avokate dhe mbrojtëse ligjore e familjes Nano.
Dorëheqja
Më 2 mars 2009, takimi mes ish-kryesocialistit Nano dhe ministrit të Jashtëm, Basha, u komentua publikisht, madje pati aludime për një marrëveshje lidhur me gjykimin e dosjes “Durrës-Kukës”. Duke u njohur si ish-avokate e familjes Nano, gjyqtarja Evelina Qirjako i është drejtuar kryegjyqtares Shpresa Beçaj me kërkesën për heqje dore nga çështja në bazë të pikës “ë” të nenit 17 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilën thuhet: “Gjyqtari ka për dertyrë të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete kur ekzistojnë shkaqe të tjera të rëndësishme njëanshmërie”. Ndërsa në bazë të pikës II të këtij neni, ku thuhet se: “Deklarimi i heqjes dorë i paraqitet kryetarit të gjykatës përkatëse”, gjykatësja Qirjako i është drejtuar kryetares Beçaj. Pasi e ka shqyrtuar kërkesën Beçaj në bazë të së njëjtës dispozitë ligjore, ka vendosur të mos e pranojë atë. “Sqaroj se personalisht unë nuk kam shkaqe njëanshmërie në gjykimin e kësaj çështjeje por nga mënyra se si është trajtuar shkrimi i një të përditshmeje perceptohet publikisht se vota ime është e kompromentuar paraprakisht në këtë proces, duke më vendosur mua në pozita njëanshmërie. Për vetë sensibilitetin publik që ka kjo çështje, do të ishte në interesin më të mirë të këtij gjykimi, që unë të përjashtohesha nga trupi gjykues”.
Refuzimi
Pasi është njohur me këtë kërkesë, kryegjyqtarja Beçaj ka argumentuar se kërkesa e Qirjakos nuk përputhet me përmbajtjen e nenit të cituar, 17/ë, dhe në bazë të nenit 17/II e ka refuzuar kërkesën. Media e cila ka komentuar këtë takim, me anë të një shkrimi të publikuar më datë 2 mars, pohon se qëllimi i vërtetë i takimit ishte vota e Qirjakos në gjykimin e çështjes së Lulzim Bashës në Gjykatën e Lartë. Në të njëjtin shkrim pohohet se aktualisht gjykatësja Qirjako nuk është pjesë e kolegjit penal pesëanëtarësh që po gjykon Bashën, por nëse ajo do të jetë, patjetër në tryezën Nano-Basha është vendosur një akord. “Nuk dihet nëse palët kanë rënë dakord apo jo për një gjë të tillë, vetëm se kjo do të shihet më vonë në vendimet që do të nxjerrë Gjykata e Lartë”. Pikërisht duke iu referuar këtij shkrimi, Qirjako i është drejtuar kryegjyqtares së Gjykatës së Lartë, duke i kërkuar largimin nga trupi gjykues që do shqyrtojë ankimin e Prokurorisë kundër Tomës dhe Telitetit, të cilët për rreth një vit e gjysmë u hetuan së bashku me Bashën për të njëjtën çështje.
Rekursi
Në nëntor të vitit të kaluar, Toma dhe Teliti iu drejtuan Gjykatës së Tiranës për ndërprerje të hetimit ndaj tyre, pasi Prokuroria e zgjati afatin deri më datë 6 dhjetor 2008. Gjykata vendosi ta pranonte kërkesën e tyre, duke vendosur ndërprerjen e të gjitha veprimeve hetimore të Prokurorisë më datë 6 nëntor, ndërsa Apeli pak javë më vonë e la në fuqi këtë vendim. Kundër këtij u ankua Prokuroria e Përgjithshme, e cila paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë. Madje në seancën e dytë të procesit në ngarkim të Bashës dhe Tomës, përfaqësuesit e prokurorisë pohuan se më datë 20 janar është paraqitur rekursi kundër vendimeve të Apelit dhe Faktit.
Takimi Nano–Basha me sfond Gjykatën e Lartë
TIRANE - Takimi Nano-Basha nuk kishte në qendër të tij vetëm zhvillimet në politikën e jashtme dhe proceset integruese. Pak ditë më parë gazeta “Panorama” bëri publik takimin mes dy politikanëve në “Prince Park”. Vetë ministri i jashtëm e pranoi këtë takim, në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu ditën e hënë. Basha u shpreh se në qendër të këtij takimi ishin zhvillimet politike në vend e kryesisht proceset integruese të vendit. Ky takim, që sipas Ministrit të Jashtëm u realizua me ndërmjetësimin e një miku të përbashkët të tyre, u zhvillua vetëm pak ditë para paraqitjes së tij në Gjykatën e Lartë, për rrugën Durrës-Kukës. Nuk është e rastit për këtë takim ndoshta që një nga anëtaret e kësaj gjykate, Evelina Qiriako është mikeshë e afërt e familjes Nano. Kjo dhe për faktin se ky takim mësohet të ketë qenë një kërkesë e vazhdueshme e Ministrit të Jashtëm për një drekë me ish-kreun socialist, njeriut me influencë brenda të majtës dhe më gjerë, por një gjë e tillë kishte qenë e pamundur deri para të premtes. Kjo për shkak se Nano udhëton shumë jashtë shtetit, si edhe Ministri i Jashtëm, Basha, për shkak të axhendës së tij të ngjeshur në përfundim të ratifikimeve të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga vendet anëtare të Aleancës. Edhe pse Basha sapo është kthyer nga një tur diplomatik, që përfundoi me ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me parlamentin grek, temat e bisedës mes tyre besohet se e kanë tejkaluar NATO-n dhe BE-në. ar.lu.
Qirjako, avokate e Nanos për ndarjen me Rexhinën e birësimin e djalit
TIRANE – Gjykatësja e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako ka përfaqësuar ish-kryeministrin Fatos Nano në proceset gjyqësore civile. E pajisur me prokurë nga ish-kryesocialisti Nano, ajo e ka përfaqësuar atë në procesin e divorcit që ai pati në Gjykatën e Tiranës disa vite më parë me ish-bashkëshorten Rexhina Nano. Ndërsa vjet, Qirjako, e pajisur sërish me prokurë nga Fatos Nano, ndoqi procesin gjyqësor në Gjykatën e Tiranës kur ai birësoi Klajdi Nanon, djalin e bashkëshortes aktuale Xhoana Nano. Qirjako ka punuar për shumë vite avokate, derisa u dekretua pak muaj më parë anëtare në Gjykatën e Lartë. Në procesin e divorcit të ish-kryeministrit Fatos Nano, Qirjako e përfaqësoi atë në gjykim në cilësinë e palës paditëse. Ndërkohë pak ditë më parë, mediat aluduan se takimi mes ministrit të Jashtëm Lulzim Basha me ish-liderin e opozitës Fatos Nano, për një kafe në një nga restorantet luksoze në periferi të kryeqytetit, ka pasur qëllim kryesor, kërkesën e Lulzim Bashës për votën e Evelina Qirjakos gjatë procesit të tij gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Takimi u publikua vetëm te “Panorama” dhe u konsiderua si një takim politik mes dy politikanëve dhe çështje bashkëpunimi për lobingje të secilit krah. E përditshmja që aludoi tri ditë më parë për votën e Qirjakos, pohon se kjo gjykatëse: “...ende nuk është pjesë e ndonjë trupi gjykues, por nëse ajo do të jetë, patjetër në tryezën Nano-Basha është vendosur një akord. Nuk dihet nëse palët kanë rënë dakord apo jo për një gjë të tillë, vetëm se kjo do të shihet më vonë në vendimet që do të nxjerrë Gjykata e Lartë”. Në fakt në këtë rast bëhet fjalë për vendimin e pritshëm të Gjykatës së Lartë më datë 16 mars, kur do të shprehet rreth njoftimit të aktakuzës ndaj Bashës. fa.ma.