E Shtunë, 31 Tetor 2026

LAMTUMIRË VIKTOR GJIKA! Shuhet “Felini” i kinemasë shqiptare



Petrika GROSI
“Njeriu kurrë nuk vdes”... Nuk e di pse më vjen në mendje ky titull filmi, ku i madhi Viktor Gjika ka dhënë kontributin si regjisor së bashku me Anagnostin. Ishte një ekranizim i mrekullueshëm i tregimit të shkrimtarit Ernest Heminguej, i cili i nderua me çmimin e parë në Festivalin botëror të shkollave kinematografike në Holandë, por nuk u lejua asnjëherë që të shfaqej në Shqipëri. E me gjithë mend, Viktori kurrë nuk do të vdesë, ndonëse do të na mungojë njeriu babaxhan me buzëqeshjen e tij gjithë dashuri, bisedat, takimet me të. Vendi në tavolinë do të jetë bosh për miqtë, kolegët, gazetarët, të cilët nuk do ta takojnë më regjisorin, siç ndodhte zakonisht te kafe “Aleanca”, përballë Teatrit Kombëtar, apo në baret rrotull Akademisë së Arteve. Por, sërish më pëlqen që gjithë këtë ta quaj vetëm një përcjellje që miqtë, familjarët, kolegët, të gjithë ne ia bëjnë regjisorit të paçmueshëm të nisur drejt një bote më të mirë...
Një ndarje fizike me Viktorin, i cili parmbrëmë mbylli sytë përgjithmonë në moshën 71-vjeçare, pasi prej kohësh kishte zënë shtratin dhe vuante nga një sëmundje e rëndë. Por, Viktor Gjika kurrë nuk vdes; ai do të jetë pa dyshim gjithmonë mes nesh, i freskët në kujtime e jo vetëm kaq, por edhe me veprën që la pas, filma si “Nëntori i dytë”, “Yjet e netëve të gjata”, “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Rrugë të bardha”, “Rezistencë”, “Gjeneral gramafoni”, “Njeriu me top” etj. Homazhet për Artistin e Popullit, regjisorin e dhjetëra filmave artistikë të njohur dhe të dashur për çdo shqiptar, të madh e të vogël, janë kryer dje në Muzeun Historik Kombëtar. Përveç personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën regjisorit kanë qenë drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare duke nisur që nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kryebashkiaku i Tiranës dhe lideri i opozitës, Edi Rama etj. “Humbja e Viktor Gjikës është e pazëvendësueshme. U nda nga ne kineasti i jashtëzakonshëm, intelektuali i shquar, prindi i pashembullt, i cili ia përkushtoi jetën me devotshmëri e profesionalizëm familjes, artit dhe vlerave përparimtare qytetare. I bindur se i ndjeri Viktor Gjika dhe veprat e tij do të mbeten përgjithmonë të pashlyera në panteonin e kinematografisë shqiptare dhe kujtesën e artdashësve anembanë, më lejoni edhe një herë të ndaj me ju dhimbjen e rëndë njerëzore”, – thoshte mes të tjerash presidenti Topi në mesazhin e tij të ngushëllimit. Ndërkaq, edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha, i ka dërguar familjes Gjika një mesazh ngushëllimi: “Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, Viktor Gjikës, personalitetit më të madh të kinematografisë shqiptare, është një humbje e rëndë jo vetëm ju dhe miqtë e Viktorit, por për mbarë botën kulturore të vendit. Viktor Gjika, me gjeninë e tij krijuese, dha një kontribut tejet të çmuar për zhvillimin e kinematografisë shqiptare. Duke ju shprehur ngushëllimet më të thella për këtë humbje të rëndë, unë lutem bashkë me ju që shpirti i Viktor Gjikës të gjejë paqen e merituar”. Regjisori dhe skenaristi i shumë filmave të njohur shqiptarë Viktor Gjika, lindi në Korçë, më 23 qershor 1937. Studimet e larta i kreu në Moskë, në Institutin Kinematografik për kinooperator dhe u diplomua me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” së bashku me Dhimitër Anagnostin, me të cilin nderohen me çmimin e Madh në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Lod të Polonisë, në vitin 1961. Filloi punë në kinematografi si operator në filmin “Debatik”, 1961 si dhe në filma kronikalë dhe dokumentarë. Puna e tij e parë e pavarur si operator dhe regjisor ishte filmi dokumentar “Bistrica 63” (1964), për të cilin artisti u vlerësua me Çmimin e Republikës. Puna e parë regjisoriale në gjininë e filmit artistik ishte “Komisari i dritës” (1966), në bashkëpunim me Dhimitër Anagnostin. Ka realizuar si regjisor, skenarist apo operator gjithsej 15 filma artistikë dhe 25 filma dokumentarë. Gjatë viteve 1984 - 1991 kreu detyrën e drejtorit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, detyrë nga e cila dha dorëheqjen në 5 nëntor 1990. Gjithashtu, Gjika ka qenë anëtar i Bordit Këshillimor të Kolegjit Europian të Filmit dhe anëtar i jurive të festivaleve të ndryshme ndërkombëtare në Turqi, Francë etj.
Në mbyllje të këtij shkrimi modest nuk mund të harronim një ngushëllim kolektiv nga redaksia e gazetës “Albania” për familjen e regjisorit Gjika.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›