Majkëll Xhekson do të rikthehet në skenë
Pas muaj të tërë lajmesh të vërteta dhe thashethemesh, duket se ka mbërritur momenti i rikthimit për këngëtarin Majkëll Xhekson. Sot, legjendari i muzikës do të mbajë një konferencë për shtyp në Londër, ku pritet të deklarohet për rikthimin në skenë në kryeqytetin anglez, në stinën e verës. Për momentin, organizatorët e takimit, që do të zhvillohet në Arena O2 në Londër ku mendohet se do të zhvillohet edhe koncerti, nuk kanë bërë të ditur asnjë detaj. Gjithçka që është thënë ka qenë në kontekstin se në takimin me gazetarët do të bëhet i ditur “një lajmërim special”. Që prej disa ditësh, në shtypin anglez qarkullojnë zëra për një rikthim madhështor në skenë (Arena ka kapacitet për 20.000 persona) të “mbretit të popit”, zëra që hedhin poshtë lajmet për sëmundje të rëndë të këngëtarit. Xhekson nuk është shfaqur në Angli që në vitin 2006, kur mori pjesë në ceremoninë e “World Music Awards”.
5 Mars 2009