E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, pranga mbikëqyrësit të MEICO

 

Trazhgim Sokolaj

Numri i të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit shkoi në katër persona, pas vendimit të papritur të Prokurorisë së Përgjithshme mbrëmjen e së martës për të prangosur ish-mbikëqyrësin e ndërmarrjes MEICO, Sokol Gjeçi. Ish-zyrtari i Ndërmarrjes Shtetërore të Import-Eksportit të Armëve dhe Municioneve është arrestuar në godinën e Prokurorisë së Përgjithshme, ku ishte thirrur si i pandehur për akuzën “shpërdorim detyre”. Si për të gjithë të pandehurit e tjerë të kësaj çështje, ish-mbikëqyrësit të ndërmarrjes MEICO në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, i është kërkuar të paraqitet në Prokurori për t’u njohur me provat e gjetura në ngarkim të tij. Për disa ditë me radhë ish-zyrtari i ndërmarrjes në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk i ishte përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme. Mbrëmjen e të martës, organi i akuzës ka marrë kontakt me të pandehurin ndërsa ecuria e seancës së ballafaqimit me prokurorët dhe hetuesit ka qenë vendimtare. Duket se reagimi i ish-zyrtarit të MEICO ka shkaktuar edhe arrestimin e tij, pasi refuzimi për të mos shkuar në prokurori për disa ditë kishte krijuar dyshime për shmangie të mundshme nga hetimi. Para se ai të largohej, duke firmosur procesverbalin e marrjes së provave në dorëzim, punonjësit e Prokurorisë së Përgjithshme kishin lajmëruar patrullën e policisë e cila i ka vënë prangat ish-vartësit të Ylli Pinarit, duke e dërguar atë menjëherë në ambientet e izolimit në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit. Sokol Gjeçi është një nga zyrtarët e parë të vënë nën akuzë nga Prokuroria gjatë hetimeve për tragjedinë e “Gërdecit”. Pak ditë pas arrestimit të ish-eprorit të tij në ndërmarrjen MEICO, Ylli Pinari, i cili ra në pranga më 18 mars 2008 bashkë me Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin, Prokuroria e Tiranës mori në hetim edhe Sokol Gjeçin. Statusi i tij si person i dyshuar për “shpërdorim detyre” nuk ndryshoi edhe pasi dosja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila së fundi ka ngritur akuzë dhe ka marrë të pandehur ish-mbikëqyrësin e MEICO-s, i vetmi “sy” i shtetit që me ligje dhe me urdhra ishte emëruar dhe paguhej të shikonte atë çfarë ndodhte në Gërdec dhe më pas çdo anomali ta transmetonte te strukturat eprore.   
Heshtja për rrezikun e Gërdecit
Lajmi është konfirmuar dje nga burime konfidenciale të gazetës “Panorama”, sipas të cilave, ish-zyrtari i ndërmarrjes MEICO akuzohet se nuk ka bërë asnjë raportim tek eprorët e tij apo edhe tek Ministria e Mbrojtjes, për shkeljen e rregullave të sigurisë në fabrikën e çmontimit të municioneve, që ishte ngritur në ish-repartin e Tankeve në Gërdec. Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe zyrtarët e këtij institucioni, nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me arrestimin e mbikëqyrësit të ndërmarrjes MEICO në Gërdec. Megjithatë gazeta mësoi dje fakte të pakundërshtueshme, lidhur me arrestimin e zyrtarit që ishte ngarkuar nga ndërmarrja MEICO dhe kreu i saj Ylli Pinari, për të mbikëqyrur aktivitetin e demontimit të municioneve. Sipas të dhënave të mësuara nga gazeta, prej 48 orësh në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ndodhet i arrestuari i katërt për tragjedinë e Gërdecit. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre” ndërsa burimet e gazetës, e konsideruan arrestimin e Gjeçit si të paramenduar. Sipas këtyre burimeve, strukturat e policisë kishin marrë një urdhër-ndalimi nga Prokuroria, që të premten e javës që shkoi ku kërkohej kapja e ish-mbikëqyrësit të ndërmarrjes MEICO. Ai konsiderohet përgjegjësi kryesor për heshtjen e strukturave shtetërore mbi shkeljen e rregullave të sigurisë në Gërdec dhe rrezikun evident që vinte nga kjo veprimtari. Sipas hetimeve mësohet se edhe nën ndikimin e eprorëve të tij, mbikëqyrësi i MEICO nuk kishte hartuar asnjë raport informimi ku të bënte prezent për strukturat e Ministrisë dhe Ushtrisë, shkeljen e rregullave në Gërdec dhe kryerjen e demontimit në kushte që rrezikonin shpërthimin katastrofik, që në fakt ndodhi mesditën e 15 marsit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›