E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka, i “dashuruar” me Hanin: “Ka bërë punë të shkëlqyer”

Presidenti i FSHF-së: “Di të motivojë ekipin, po sjell emra të rinj”. Bosi i Federatës beson te surprizat e Arit me Hungarinë e Danimarkën

Dash Frashëri

“Han po bën një punë të shkëlqyer”, - ky është konkluzioni i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i publikuar në faqen zyrtare të UEFA-s, uefa.com.
Bosi i futbollit shqiptar e cilësoi si një start inkurajues punën e kryer deri tani nga trajneri holandez Ari Han dhe ekipi kombëtar në kualifikueset e Kupës së Botës “Afrika e Jugut 2010”.
Han, trajneri i katërt i huaj i “epokës Duka” (më parë kanë drejtuar italiani Dosena, gjermani Brigel e kroati Bariç), ka grumbulluar gjashtë pikë në pesë ndeshjet e para, një start me vetëm një humbje, por me dy barazime të bujshme kundër Suedisë e Portugalisë.
Presidenti Duka është optimist për dy ndeshjet e ardhshme, kundër Hungarisë në Tiranë (28 mars) dhe Danimarkës në Kopenhagen (1 prill), duke i parë si një tjetër mundësi të përfaqësueses për të shkëlqyer.
“Unë kam një përshtypje të mirë dhe shumë pozitive për Ari Hanin. Ai di se si të motivojë ekipin dhe unë e pëlqej mënyrën se si ai i përgatit ata për çdo ndeshje”, - tha Duka për uefa.com.
“Ai është shumë profesional, e pëlqej disiplinën e tij me lojtarët dhe ai është duke bërë një punë të stërmadhe me ekipin tonë. Ai ka një qëndrim shumë inkurajues, të cilin unë e admiroj”.
Barazimi pa gola në Maltë në ndeshjen më të fundit kualifikuese nuk u prit mirë në Shqipëri, me gjithë mungesën e lojtarëve kyç, Arian Beqaj, Altin Lala e Lorik Cana. Por Duka sheh gjithmonë në sensin e perspektivës.
“Duke parë se si shkoi ndeshja, ne duhet të jemi të kënaqur me barazimin”, - citohet Duka. “Malta luajti mirë dhe ishte e rrezikshme në pjesën e dytë, duke bërë presion mbi ekipin tonë. Ishte shumë e vështirë të sulmonim dhe, nëse do ta bënim atë, ndoshta mund të pësonim gol dhe mund të humbnim ndeshjen”.
Presidenti Duka gjithashtu i thuri lavde politikës së Hanit, duke sjellë lojtarë të rinj premtues. “Ari ka bërë një punë të shkëlqyer me sjelljen e lojtarëve të rinj në ekip. Kundër Maltës, ne përfshimë dy ose tre lojtarë, të cilët bënë debutimin e tyre gjatë kësaj fushate kualifikuese. Hani gjithmonë është në kërkim të lojtarëve të rinj dhe t’i bëjë ata gati për sistemin e tij të lojës. Brenda disa javëve të ardhshme, Han dhe stafi i tij do të shohë nga afër disa lojtarë të rinj për të ardhmen. Disa luajtën kundër Maltës ,si Andi Lila, Gilman Lika, Elis Bakaj dhe Xhevair Sukaj, dhe ata do të jenë vazhdimisht nën vëzhgim, ashtu si dhe disa të tjerë, si Ahmed Januzi, Debatik Curri e Armend Dallku te Vorskla Poltava”.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›