E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, thirrje Ramës: Çohu e shih, Shqipëria po ndryshon



Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vijoi dje takimet me banorët e komunave Shezë, Gjinar dhe Belsh, nga ku i ka bërë thirrje kreut të PS-së, Edi Rama, që të çohet dhe të shohë realitetin e vendit. Duke huazuar titullin e këngës së fushatës socialiste, Basha tha se Rama është ai që duhet të çohet për të parë ndryshimet dhe realitetin e vendit, duke nisur nga komunat në Elbasan, të cilat kanë përfituar investime të shumta. “Zoti Rama çohu! Eja këtu në shesh dhe shiko si Sheza po ndryshon, Pajova po ndryshon, Belshi po ndryshon, Shqipëria po ndryshon. Ai nuk ka asnjë plan, asnjë projekt. Ai ka vetëm dëshirën që karrigen e bashkisë ta transferojë në Kryeministri”, - tha Basha. Ministri inauguroi fillimin e punimeve të aksit Pajovë-Belsh, me një vlerë të konsiderueshme prej 3.5 miliardë lekësh. Basha tha më tej para banorëve, se Edi Rama nuk është i interesuar aspak për ndryshimin e vendit, por sipas tij, ai interesohet vetëm të ndërrojë karrigen e kryebashkiakut me atë të Kryeministrit vetëm për interesa personale korruptive. Përpara banorëve të komunave të Elbasanit, Basha premtoi se çdo rrugë në Shqipëri në katër vitet e ardhshme do të jetë e asfaltuar. Ndërkohë, ministri Basha vijoi takime të tjera me banorët në Qarkun e Elbasanit, ku në lagjen "28 Nëntori" ai tha se Shqipëria do të jetë një vend me standarde evropiane në mandatin e dytë. “Nëse Partia Demokratike dhe Kryeministri Sali Berisha vijnë sot përpara shqiptarëve për të kërkuar votën, vijnë me bindjen e thellë se ajo që arritëm së bashku, besimi që ne së bashku patëm tek Shqipëria evropiane, besimi që ne kthyem në realitet, do të jetë karburanti i makinës sonë që në katër vitet e ardhshme do të ecë pa ndërprerje deri sa të realizojë përfundimisht ëndrrën evropiane të çdo shqiptari”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Një tjetër premtim që bëri Basha, ishte edhe reforma në shëndetësi, ku sipas tij, në mandatin e dytë, qytetarët do të ketë një sistem të reformuar. Ai premtoi edhe rrugën Tiranë-Elbasan në mandatin e ardhshëm. Basha shoqërohej në këto takime nga kandidatët e tjerë për deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›