Berisha: Do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare
Mijëra qytetarë të Fushë-Krujës pritën dje në sheshin kryesor të qytetit të tyre kreun e mazhorancës, Sali Berisha, i cili u premtoi atyre se do të jenë së shpejti një lagje e kryeqytetit. Duke folur para mijëra mbështetësve, Berisha tha se qeveria ka vendosur që të ndërtojë rrugët më të reja, më të shkurtra, si dhe më modernet në rajon. “Ne që asfaltuam në katër vite rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, gjatë katër viteve që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë-Krujës dhe Shqipërisë, do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare, që mbarë shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri dhe më modern, më kohëshkurtër në rajon dhe në Evropë”, - premtoi Berisha. Kreu i qeverisë ndau emocionet e para të dy viteve me fushë-krujasit, kur këtë qytet e vizitoi Presidenti amerikan, Bush, duke u kërkuar atyre që të ndëshkojnë Edi Ramën, i cili sipas Berishës, shkelmoi mikpritjen e Fushë-Krujës me mashtrimin e orës së vjedhur. “Vëllezër e motra, fushë-krujas, krutane e krutanë, asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t’i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t’ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut, të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme, që ju i rezervuat Presidentit George W. Bush”, - deklaroi Berisha.
Kreu i qeverisë, - tha më tej, - se përpara katër viteve, kur ai erdhi në të njëjtin shesh, u premtoi atyre se do të kishin rrugë të asfaltuara. Berisha tha se qeveria ka mbajtur premtimet për banorët e Fushë-Krujës. “Sot, Fushë-Kruja dhe 5-6 fshatrat e saj kanë furnizim me ujë 24 orë. Sot, Fushë-Kruja ka shkolla moderne, të pajisura me internet. Katër vitet që vijnë, do të jenë vitet e Fushë-Krujës plotësisht evropiane”, - tha Berisha, duke premtuar se çdo projekt në këtë qytet do të financohet nga qeveria e tij.
Fermerët
Kreu i qeverisë foli edhe për mbështetjen ndaj fermerëve të Fushë-Krujës. “Unë i garantoj fermerët e Fushë-Krujës dhe të mbarë Shqipërisë, se qeveria ime do të subvencionojë të gjitha inputet për sipërfaqen e mbjellë, do të financojë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit, do të shumëfishojë grantin për projektet që ata do të paraqesin, do të barazojë pensionin e tyre me atë të qytetit, do të finalizojë të gjithë sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve”, - premtoi Berisha duke kujtuar se qeveria e tij nxori nga varfëria 400 mijë qytetarë shqiptarë, punësoi 80 mijë qytetarë shqiptarë, si dhe premtoi 160 mijë vende punë. “Në katër vite, Shqipëria në punë, qytetarët shqiptarë në punë do të jetë motoja jonë”, - shtoi ai.
Letërnjoftimet
Kreu i mazhoranës u bëri thirrje banorëve të Fushë-Krujës, por edhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë, që të aplikojnë për kartat e identitetit. “Merreni letërnjoftimin edhe si dëshmi e një vullneti të hekurt, për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo njëri prej nesh ka një shans të madh të japë një kontribut për Shqipërinë evropiane, letërnjoftimin”, - tha Berisha, duke kërkuar bashkëpunimin e zyrtarëve lokalë. Por kreu i qeverisë ndau edhe njëherë me banorët e Fushë-Krujës emocionet e vizitës së Presidentit amerikan, Bush. “Këtu në Fushë-Krujë u bë historia. Këtu erdhi për t’u takuar me ju Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-së, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur”, - tha Berisha, duke u kërkuar votuesve “të vazhdojmë rrugën së bashku”.