E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Xhufi: Kemi program për bujqësinë



Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, zhvilloi dje një takim me banorët e njësisë numër 5 në Tiranë, nga ku deklaroi se LSI ka një program të qartë për zhvillimin e bujqësisë. “Ne kemi shpallur një program të tërë të detajuar me një cikël të plotë për bujqësinë shqiptare, e cila është dhimbje e madhe e ekonomisë tonë, është sektori që sot e kësaj ditë përfshin pjesën më të madhe të popullsisë, por që ka mbetur në një gjendje primitive. Të braktisur nga shteti, e copëtuar dhe e fragmentizuar është bujqësia në mijëra e mijëra ekonomi të vogla, të pafuqishme, të pambështetura, të cilat nuk arrijnë jo vetëm të japin prodhim për bujqit, por nuk japin edhe prodhim as për qytetin”, - tha Xhufi. Ai më pas premtoi se LSI do të hapë 100 mijë vende të reja pune. “Këto pika nevralgjike, përcillen dhe nga forcat e tjera politike, por pa arritur të japin ato zgjidhje që ne kemi dhënë për fusha të tilla, siç është punësimi, që LSI e ka prioritet. Ne kemi shpallur që do të hapim 100 mijë vende të reja pune, duke treguar dhe mënyrat, rrugët dhe mjetet si do të realizohet ky synim i madh. Veç të tjerash do reduktojmë edhe varfërinë”, - premtoi Xhufi për banorët e njësisë 5.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›