E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, fushatë në Pogradec e Librazhd



Kreu i opozitës, Edi Rama, zhvilloi dje mitingjet e radhës në qytetin e Pogradecit dhe atë të Librazhdit, ku përpara banorëve të këtyre qyteteve, ai u shpreh i bindur se do të jetë Kryeministër. Duke i kthyer përgjigje Kryeministrit Sali Berisha për moskandidimin e tij, Rama tha se ai do të jetë Kryeministër. “Unë do të jem një Kryeministër për ju, për t’u dhënë bashkë me ju zgjidhje të reja problemeve të vjetra, për të qenë bashkë me ju kudo që janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë, për të bërë bashkë me ju gjëra që për 18 vjet me radhë, na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura”, - tha Rama në Pogradec. Sipas tij, vota e 28 qershorit ka një rëndësisë të veçantë për vendin, ndaj dhe kërkoi që qytetarët të shkojnë të votojnë këto zgjedhje. “Vota e 28 qershorit është një votë më e rëndë sesa asnjëherë tjetër në historinë e këtyre viteve. Është një votë që peshon më shumë se kurdoherë tjetër, sepse ka peshën e barrës së madhe, që kemi përsipër për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Këtë barrë ju mund ta ngarkoni vetëm mbi supet e Partisë Socialiste, duke e shtatëfishuar fuqinë e votës tuaj për deputetët e Partisë Socialiste”, -deklaroi Rama në Pogradec.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›