Brenda qershorit, 6.500 legalizime vetëm në Tiranë
Brenda muajit qershor priten që të legalizohen edhe 6.500 ndërtime të tjera informale në Tiranë. Dosjet tashmë janë gati nga agjencia rajonale e legalizimit të Tiranës, dhe së shpejti, emrat e tyre do të dërgohen në Këshillin e Ministrave për kalim pronësie. Drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Agim Berisha, bëri me dije se puna në këtë agjenci rajonale po vazhdon me intensitet të lartë në të gjitha zonat. Berisha tha se kalimi i pronësisë për këto objekte do të bëhet së shpejti. Por ai vuri në dukje edhe dosjet, të cilat nuk kanë nevojë për kalim pronësie. Kështu, të gjithë qytetarët që kanë bërë ndërtime pa leje në tokën e tyre private, kanë më shumë lehtësi në legalizimin e ndërtimit të tyre pa leje. “Ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre, nuk shkojnë në Këshillin e Ministrave, pasi në qeveri shkojnë vetëm ata që bëjnë kalim pronësie”, - tha Agim Berisha. Ai bëri me dije se kjo kategori qytetarësh do të lajmërohet në momentin që dosja e tyre do të jetë gati. Por ndërtimet në tokën private zënë një numër të konsiderueshëm. Sipas shifrave të ALUZINI-t, një e treta e të gjitha ndërtimeve janë bërë në tokën private, ndërsa një e treta në tokën e shtetit dhe pjesa tjetër në tokë të huaj të pronarëve të tjerë që do të kompensohen. Pronarët që kanë bërë ndërtime në tokën e tyre, paguajnë shume herë më pak se ata që kanë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokë të huaj, pasi ata paguajë tarifat e tokës sipas përcaktimit në ligj. Ndërtimet në tokë private paguajë vetëm taksën e ndikimit në infrastrukturë. Njëkohësisht, drejtori Berisha bëri thirrje edhe për pagesën e shpejtë të detyrimit, pasi sipas udhëzimit, ka 20 për qind ulje për ata që e paguajnë në dorë detyrimin e tyre. Ligji përcakton se ndërtimet jashtë vijës së verdhë me një tokë më pak se 500 metra katrorë, do të paguajnë jo më shumë se 4 milionë lekë të vjetra, kjo në varësi të madhësisë së ndërtimit. Ndërtimet brenda vijës së verdhë, nën 200 metra katrorë, do të paguajë të njëjtën sasi, pra më pak se 4 milionë lekë. Por në rast se pronari i ndërtimit posedon më shumë se 500 metra tokë jashtë vijës së verdhë, dhe më shumë se 200 metra tokë brenda vijës së verdhë, ai duhet të paguajë në vlerë tregu. Ndërkaq, me t’u miratuar dosja nga Këshilli i Ministrave, pronarët duhet të paguajnë tarifën dhe më pas të shkojnë në Hipotekë për të marrë përfundimisht tapinë e tokës ku ata kanë ndërtuar. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë t’i dërgojnë qytetarit akt verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni, duhet t’i drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë. Në përfundim të procesit, qytetari do të pajiset me certifikatë pronësie në rastet kur zona është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ose me vërtetim pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.