Miting madhështor i PD-së në Lezhë, Berisha sfidon direkt Ramën
Mijëra qytetarë të Lezhës pritën dje në një miting madhështor Kryeministrin Sali Berisha, i cili para tyre, sfidoi direkt kreun e opozitës, Edi Rama. Berisha i bëri thirrje Ramës që të vihet në listën e partisë së tij, por kësaj here, Berisha i ka komunikuar atij sfidën për t’u përballur me verdiktin e shqiptarëve. Kreu i qeverisë i kërkoi Ramës që të mos ketë frikë, por të kandidojë përballë tij, duke ua lënë në dorë shqiptarëve të vendosin për atë që ata meritojnë. “Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t’i kërkojmë kurrkujt kurrë votën në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, sepse qytetarët do të të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre. Mos u fshih pas karriges së bashkisë”, - tha Berisha. Por kreu i PD-së i la Edi Ramës vetëm tri ditë afat për të vendosur për të amenduar ligjin, në mënyrë që sipas tij, Rama të mos fshihet pas karriges së bashkisë, por të përballet në betejë. “Ftoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës që të shfrytëzojë rastin që po i jap. I mbeten edhe tre ditë dhe në rast se do, do t’ia ndryshoj ligjin që të dalë në krye të betejës, ashtu siç kërkon rregulli demokratik, ashtu siç kërkon tradita demokratike”, - shtoi ai.
Përpara qytetarëve të Lezhës, Berisha tha se vinte në këtë qark, pas katër viteve, me 12 herë më shumë investime se në vitin 2005. “Unë vij sot krenar tek ju, sepse që nga dita që mbylli sytë burri më i shquar i kombit tonë, Skënderbeu, ne i rikthyem në këto katër vite Shqipërisë dhe Lezhës ëndrrën e tij evropiane”, - tha Berisha, duke premtuar dy herë më shumë investime në katër vitet që vijnë. “Jam këtu për t’u zotuar para jush se do të merrni edhe 24 herë më shumë, deri sa në katër vite çdo rrugë dhe rrugicë e juaja të asfaltohet, derisa çdo shtëpi e këtij rrethi dhe e mbarë Shqipërisë të ketë ujë 24 orë, derisa çdo shkollë e këtij rrethi të jetë e re apo e rindërtuar. Ne do ta bëjmë Lezhën evropiane, do ta bëjmë Shqipërinë evropiane. Kjo do të thotë se ju, lezhjanët dhe mbarë qytetarët shqiptarët, do të gëzoni të drejtat, do të gëzoni të ardhurat, do të gëzoni shkollimin, do të gëzoni shërbimin shëndetësor, do të gëzoni infrastrukturën dhe punësimin njëlloj si qytetarët e disa vendeve anëtar të Bashkimit Evropian”, -premtoi Berisha. Kreu i qeverisë përmendi edhe investimet e mëdha që do të konkretizohen në këtë qark, ku do të punësohet qindra qytetarë të Lezhës. Gjatë muajve të fundit janë mundur të sigurohen rreth 2.8 miliardë euro investime dhe 1 miliard euro investime të tjera janë në përgatitje e sipër. Berisha premtoi se Lezha dhe Shqipëria do të jenë lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan, do të jenë njëshi në Evropë për rritjen ekonomike, do të jenë njëshi në Evropë për thithjen e investimeve të huaja. Një tjetër pikë e prekur nga Berisha ishte fshati, ku ai premtoi të gjithë infrastrukturën e nevojshme për fshatin. “Zotohem sot në këtë shesh se në të gjitha fshatrat e këtij rrethi dhe në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, ne do të çdo të asfaltojmë rrugë, do të furnizojmë çdo shtëpi me ujë të pijshëm 24 orë, do t’u krijojmë shërbime njësoj si në qytet”, - tha ai. Kreu i mazhorancës u kërkoi më tej qytetarëve të marrin kartat e identitetit, në mënyrë që sipas tij, ata të votojnë si qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Perëndimit.