Vlorë, Patozi: PD, e hapur për kontribuuesit dhe ish-drejtuesit
Dega e Partisë Demokratike në Vlorë mblodhi dje ish-drejtuesit dhe përfaqësuesit e saj në vite, duke theksuar se PD është një forcë demokratike, e cila respekton kontributin, si dhe ish-drejtuesit e saj në vite. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, tha në këtë takim se PD-ja është një parti që respekton traditën dhe kontributin e të gjithëve atyre që kanë qenë pjesë e PD-së në vite. “Partia Demokratike ka vlerësuar dhe vlerëson të gjithë ata që e kanë drejtuar dhe përfaqësuar atë në mënyrë dinjitoze. Një parti që nuk vlerëson ish-drejtuesit dhe përfaqësuesit e saj, nuk është një forcë politike serioze. Të respektosh traditën, do të thotë të respektosh të tashmen dhe të ardhmen, prandaj dhe Partia Demokratike ka nevojë për kontributin e atyre që e kanë drejtuar dhe përfaqësuar”, - tha Patozi. Ai mori si shembull katër vitet që lamë pas, duke thënë se PD është krenare që ka pasur mandatin më të suksesshëm në gjithë këto vite. “Ne jemi krenarë për historinë tonë, veçanërisht për 4 vitet e fundit, që janë më të suksesshmet dhe kur u bënë aq sa kanë bërë të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku, në këto 18 vjet”, - shtoi Patozi. Ndërsa kryetari i PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi, tha përpara të pranishmëve se PD do të fitojë bindshëm në Vlorë. Në këtë takim, folën edhe ish-drejtuesit e PD-së në vite në Vlorë, si ish-deputetët dhe drejtuesit e PD-së, Gëzim Zilja, Agron Sharra, Roland Tafili, Esat Hasani, Ismet Mersini, Adhurim Musaraj, Agron Shehu, të cilët theksuan vlerat e mentalitetin e PD-së.