E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fonde shoqërisë civile që të monitorojë korrupsionin qeveritar

Nga Armand Maho

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje në mbledhjen e qeverisë së media është monitoruesja më e mirë e korrupsionit, por këtu media është e papastër. “Shteti e ka jetik monitorimin e luftës kundër korrupsionit. Faktohet se nuk ka monitor më të mirë sesa media e shoqëria civile. Por këtu mediet janë biznes, të pleksura keq, pasi drejtuesit e saj janë edhe drejtorë, edhe biznesmenë. Por sërish nuk ka vend për t’u dëshpëruar. Ka vend që të jemi aktivë, në mënyrë që të konsolidohet i gjithë mekanizmi i monitorimit të rreptë të shtetit, të qeverisë, administratës, gjyqësorit, parlamentit dhe të gjitha institucioneve. Kjo është transparencë ndaj publikut. Publiku duhet të ketë syrin e vet edhe nëpërmjet organizatave të pavarura që janë ato të shoqërisë civile”, - tha Berisha. Kryeministri nuk komentoi aspak rolin e qeverisë së tij në atë që e quajti pleksje e dyshimtë. Duke folur sërish për çështjen e korrupsionit, Berisha tërhoqi vëmendjen se ai nuk është i shtrirë vetëm në sektorin publik, por dhe atë privat.

“Korrupsioni është një ajsberg i vërtetë. Ne po merremi vetëm me fushën publike dhe nuk mund të spostohemi për asnjë moment, por dimensionet e tij janë në të gjithë sektorët, në përballjen me të cilat ne jemi ende larg”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh për domosdoshmërinë e plotësimit të të gjithë legjislacionit në këtë drejtim, në veçanti nenet antiryshfet ndaj kompanive vendase dhe të huaja.

“Ne i kemi ratifikuar konventat, por duhet të bëhen të gjitha plotësimet në legjislacionin tonë, në mënyrë të veçantë nenet antiryshfet ndaj kompanive vendase dhe të huaja. Konventat ndërkombëtare kanë efekt kudo. Në të gjitha procedurat që ne mbulojmë, duhet të ketë një kriter themelor të vështrimit të tyre, kriteri antikorrupsion”, - u shpreh Berisha.

Mediat, jetike për të monitoruar korrupsionin, por media këtu është e pistë

Duke folur në lidhje me nevojën e monitorimit nga shoqëria civile të korrupsionit qeveritar, Berisha tha se ekzekutivi do të japë fonde për këto organizata që të monitorojnë korrupsionin. “Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ri-dimensionuar mbikëqyrjen ndaj të gjithë veprimtarive publike dhe gradualisht, duke u aftësuar shoqëria civile, bëhet edhe monitori më i mirë edhe i korrupsionit në sektorin privat, gjë të cilën njëfarë mënyre ajo e bën. Zëra të herëpashershëm ekzistojnë, por duhet të strukturohen dhe konsolidohen”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria do bëjë disponibël fondin e përcaktuar për shoqërinë civile në këtë drejtim. “Në qoftë se ka një fushë ku qeveria duhet të financojë kundër vetës së saj, është kjo fushë. Qeveria duhet të financojë për ta mbajtur nën vëzhgim të rreptë, sepse ky është interesi më i mirë i saj dhe i publikut dhe vëzhgim të rreptë mund të vendosë shoqëria civile”, - u shpreh kryeministri.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, duke e konsideruar të rëndësishme shtrirjen e monitorimit deri në fshat, kryeministri tha se, në qoftë se krijohet një rrjet i gjerë monitorimi i veprimtarive, rezultatet do të jenë të mahnitshme.

E kemi fituar betejën me korrupsionin

Kryeministri, Sali Berisha, e shpalli dje të fituar betejën me korrupsionin. Ai e bëri deklaratën gjatë ratifikimit të marrëveshjes së grantit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të objektivit strategjik për të luftuar korrupsionin, në kuadër të programit fillestar të vlerësimit të Sfidës së Mijëvjeçarit (faza e dytë).

“Betejën e kemi fituar, por lufta vazhdon dhe ne do të mund ta fitojmë këtë luftë. Fitorja e kësaj beteje nga qeveria shqiptare ka pasur jehonë botërore. Në një konferencë ndërkombëtare në Bruksel, themeluesi i Transparency International iu shpreh pjesëmarrësve se ka qenë një rezultat shumë i ndjeshëm. Por absolutisht ai përbën vetëm atë që e kam shprehur edhe më parë, daljen nga gjysmë e natës, në gjysmëdritë. Ndaj duhet të vazhdojë me të gjithë potencialin tonë”, - u shpreh Berisha.

Kryeministri e konsideroi me rëndësi fazën e dytë të këtij programi, ku vendoset “One Stop Shop” për licencat dhe lejet e mbetura. “Ne vendosim “One Stop Shop” për licencat dhe lejet e mbetura, pas heqjes së dy të tretave të tyre. Studimet e kësaj praktike kanë faktuar se ajo ka ulur rreth 9 deri në 10 herë korrupsionin dhe ka shkurtuar shumë herë kohën e zvarritjes burokratike”, - u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›