Basha uron znj. Klinton për detyrën e re
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dërgoi dje një telegram urimi për Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Rodham Klinton, me rastin e emërimit të saj në detyrë. Duke i drejtuar me “E dashur Zonja Sekretare”, ministri Basha shkruan: “Me rastin fatlum të emërimit Tuaj si Sekretare Amerikane e Shtetit, është nder dhe privilegj për mua që t’ju përcjell përgëzimet e mia më të ngrohta dhe më të përzemërta! Sot, - vijon në mesazhin e urimit, - ne jemi dëshmitarë të marrëdhënieve të veçanta, të ngushta dhe miqësore ndërmjet SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke nxitur dhe forcuar së bashku paqen, stabilitetin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe begatinë. Ne jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e SHBA-ve dhe të vendosur që të punojmë mbi baza dy- dhe shumëpalëshe për nxitjen e këtij partneriteti, për përparimin dhe forcimin e mëtejshëm të vlerave të përbashkëta demokratike. Zonja Sekretare, emërimi Juaj vjen në një periudhë tejet të rëndësishme sfidash madhore. Shqipëria krenohet që është aleate e SHBA-ve dhe është e gatshme të punojë aktivisht e së bashku në përballimin e këtyre sfidave globale dhe rajonale. Në planin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet, moderacion dhe frymë konstruktive, duke kontribuar aktivisht në integrimin e Ballkanit në strukturat euroatlantike”, - shkruan z. Basha. Më tej ai shton: “Gjej rastin për të evokuar me kënaqësi dhe nderim të veçantë ndihmesën e vyer dhe historike që ka dhënë populli amerikan, Ju, dhe në veçanti Presidenti Klinton për Kosovën. Po ashtu, ne shqiptarët jemi plot mirënjohje të thellë për mbështetjen e SHBA-ve në realizimin e aspiratave tona kombëtare për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE”. Basha përfundon mesazhin e tij: “Duke përsëritur urimet dhe përgëzimet e mia për suksesin Tuaj në këtë detyrë fisnike, kam nderin t’ju përcjell ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju. Ju lutem, pranoni, e dashur zonja Sekretare e Shtetit, sigurimet e konsideratës sime më të lartë”.