PS-ja akuzon TVSH-në se po bën propagandë për qeverinë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë shqiptare se po kontrollon Televizionin Publik Shqiptar për interesat e veta, edhe pse ai është pronë e gjithë shqiptarëve. “Dua të përcjell sot në çdo shtëpi shqiptare ndjenjën e revoltës qytetare për abuzimin e përditshëm të Televizionit Publik Shqiptar ku, njësoj si në kohët e zymta të propagandës komuniste - madje sot me taksat e të gjithë qytetarëve - financohet një lavazh truri i stilit sovjetik me parada suksesesh, deklarata arritjesh, telegrame lëvdatash dhe fletërrufe fushatash, të cilat e bëjnë këtë televizion më të turpshmin e më qesharakun e botës së lirë”, - tha kryetari i kësaj partie, Rama. Ai e cilësoi TVSH-në si ekran antidemokratik dhe tallje e madhe me njerëzit e këtij vendi. “Televizioni Publik Shqiptar është konkurrenti më i pandershëm e më i dëmshëm në tregun e informacionit dhe pasqyra më besnike e vulgaritetit të politikës së vjetër të këtyre 18 vjetëve tranzicion, sepse nuk rri në treg falë aftësive konkurruese me të tjerët, po duke marrë qyl nga shteti atë që të tjerët e marrin me thonj nga tregu”, - deklaroi Rama.
Më tej, Rama i bëri thirrje drejtorit të përgjithshëm të TVSH-së që të mos e menaxhojë këtë pronë publike si tribunën private të pushtetarëve të sotëm, të mos lejojë cenimin e mëtejshëm të lirisë e të së drejtës të çdo qytetari shqiptar për t'u informuar sipas standardeve demokratike nga ky ekran.
RTSH: PS-ja ka hapësirë aq sa PD-ja në lajme
Drejtoria e Përgjithshme e Radiotelevizionit kundërshton deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një njoftim për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Televizionit Shqiptar thuhet se akuzat që drejtohen ndaj RTSH-se janë të pabaza dhe nuk përputhen me faktet reale. “RTSH-ja në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk ka censuruar as kryetarin e PS-së dhe asnjë nga drejtuesit socialistë apo aktivitetet e kësaj force politike. Përkundrazi, në shumë raste aktivitetet e kryetarit të Partisë Socialiste janë pasqyruar të plota dhe në mënyrën që i ka sjellë zyra e shtypit e Partisë Socialiste”, - thuhet në këtë deklaratë. Në njoftim theksohet se monitorimi për muajin dhjetor i edicioneve informative nga ana e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit tregon se Partia Demokratike në mazhorancë ka zënë 67.88 minuta ose 13.69 për qind dhe Partia Socialiste në minorancë ka zënë 67.38 minuta ose 13.59 për qind. Ndryshimi i kohës në total është vetëm 50 sekonda ose 0.10 për qind në favor të Partisë Demokratike. Nisur nga kjo, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së siguron qytetarët se në punën e vet udhëhiqet nga ligji dhe zbatimi i tij, ndërsa u bën thirrje të gjitha forcave politike që të mos ndikohen nga artikuj gazetash apo opinione të televizioneve të caktuara, por t’u referohen monitorimeve të institucioneve që janë ngarkuar me ligj.