E Diel, 1 Nëntor 2026

Poli energjetik; Investim italian 3.5 miliardë euro në Lezhë



Qeveria shqiptare në bashkëpunim me atë italiane bëjnë të mundur ndërtimin e polit energjitik në rajonin e Lezhës. Pala shqiptare dhe ajo italiane nënshkruan dje marrëveshjen për projektin e ndërtimit të këtij poli energjitik. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, i cili nënshkroi dje marrëveshjen në emër të qeverisë, ky projekt është një hap i madh në vizionin e shndërrimit te Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjitike në rajon. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në ambientet e hotel “Sheratonit”, Kryeministri Sali Berisha garantoi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për projektin italian të Polit Energjitik që pritet të ndërtohet në rajonin e Lezhës. “Siguroj Grupin Marselia se do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në realizimin e këtij projekti të madh dhe kjo besoj se është përgjigja më e shkëlqyer antikrizë”, - tha z. Berisha. Investimi për Polin Energjitik kap shifrën e 1.5 miliardë eurove. Z. Berisha informoi se brenda dy muajve janë firmosur kontrata koncensionare me palën italiane me një vlerë prej 3.5 miliardë eurosh dhe këtu flitet për megainvestime. “Ajo që është e rëndësishme, - vijoi Kryeministri, - janë projektet e ardhshme që po përgatiten dhe që kapin vlerën prej miliarda eurosh”. Kryeministri falënderoi Grupin Marselia për besimin e dëshmuar ndaj Shqipërisë, si dhe ambasadorin italian në Tiranë, z. Saba D’Elia që është një promotor i vërtetë i investimeve italiane në Shqipëri. “Poli Energjitik, rajoni i Lezhës” është projekt i Grupit italian Marselia, i mirënjohur në sektorin energjetik, agro-industrial, turistik-imobiliar, financiar, si dhe të projektimit e ndërtimit. Në total, ky investim kalon shifrën 1 miliardë eurove. Kryeministri Berisha siguroi investitorët italianë, ata shqiptarë dhe të gjithë investitorët, se reformat e ndërmarra nga qeveria në të gjitha drejtime, nuk do të ndërpriten dhe se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që të zbatojë në vend praktikat më lehtësuese, më transparente dhe më të mira për biznesin e huaj dhe atë vendas. Ambasadori italian në Tiranë, z. D’Elia, i pranishëm në këtë ceremoni, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, veçanërisht ato ekonomike, duke theksuar se vetëm në muajt e fundit mes dy vendeve janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në sektorë kyç të ekonomisë. “Përmes projekteve, - theksoi ai, - nuk forcohen vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por në radhë të parë, kontribuohet në forcimin e ekonomisë shqiptare, në ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë”. Nga ana e tij, administratori delegat i Grupit të Marselias, Xhuzepe la Grota, falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Grupit Marselia në lehtësimin e të gjitha procedurave të nevojshme administrative dhe ligjore, për të ardhur deri në fazën aktuale të nisjes së realizimit të projektit. Z. La Grota theksoi se politika e rritjes së investimeve e ndjekur nga Kryeministri dhe qeveria shqiptare ka qenë një politikë e urtë, përmes një sistemi lehtësues fiskal dhe thjeshtëzimit të proceseve administrative. Ai siguroi se investime të mëdha të tilla si investimi i Grupit Marselia dhe investime të tjera që po nisin në Shqipëri, do të kontribuojnë edhe më tepër në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, nëpërmjet shpenzimeve që do të kryejnë gjatë ndërtimit të këtyre veprave dhe nga të ardhurat fiskale, pasi këto projekte të fillojnë të funksionojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›