Meta; Marrëveshje me kompani amerikane për mbrojtjen e votës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, konfirmoi dje se forca politike që drejton ka nënshkruar një marrëveshje me një kompani amerikane, me qëllim mbrojtjen e votës. I përgjigjur ndaj interesimit të gazetarëve, Meta theksoi se LSI-ja ka mbyllur një marrëveshje mirëkuptimi me një nga kompanitë më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila asiston dhe përkrah kandidatë progresistë, si në SHBA, por edhe Evropë, e në vende të tjera. “Me kompaninë kemi rënë dakord për të realizuar dhe një strategji tepër të gjerë për sa i takon mbrojtjes së votës nga manipulimi. Çdo gjë do të bëhet transparente për publikun në momentin e duhur, por mund t’ju them se u realizua, ai premtim që ne kemi dhënë, se do të bëjmë çdo gjë për të ofruar garanci shtesë, që procesi zgjedhor në Shqipëri të jetë i mbrojtur nga ato qëllime të këqija të dy partive binjake për sa i takon konceptit tepër të ngushtë që kanë për zgjedhjet dhe për demokracinë”, – deklaroi Meta. Sipas tij, ky është një proces, i cili padyshim që do të konfirmojë LSI-në si një forcë politike, jo vetëm fituese, por edhe si një garantuese e një procesi zgjedhor. “Nuk bëhet fjala për të ruajtur të paprekshme thjesht votat e LSI-së, por bëhet fjalë për votat e të gjithë shqiptarëve”, – deklaroi ai. Deklarata e z. Meta erdhi pas një takimi me një grup deputetësh holandezë, anëtarë të Parlamentit Evropian. Gjatë këtij takimi me Bastiaan Belder, Leen van der Waal, Dr.Wybren Yogsma dhe Gert Niwenhuis u diskutua mbi zhvillimet më të fundit politike në vend, veçanërisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit dhe garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, si dhe për shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e medias dhe konsolidimin e demokracisë në vend.