Komisioni për zgjedhjet, PS-ja kërkon kontrollin, PD-ja kundërshton
Konferenca e Kryetarëve ka ndërprerë dje mbledhjen e planifikuar pas paraqitjes së kërkesave të PS-së mbi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për monitorimin e procesit parapërgatitor të zgjedhjeve. Opozita kërkoi që në komisionin me 7 veta në përbërje, të ketë si kryetarin e komisionit, ashtu edhe nënkryetarin e tij. Pretendimi i saj ishte se “mazhoranca ka ekzekutivin, ndërsa opozita si mundësi të vetme do të ketë vetëm këtë komision për të ndjekur gjithë procesin”. Mazhoranca ka refuzuar për arsyen se ky propozim nuk ka pasur asnjë të ngjashëm në historinë parlamentare. “Ne kemi dhënë konsensusin për këtë komision, por ai duhet të jetë i balancuar si çdo komision i përbashkët”, - ishte kundërreagimi i mazhorancës. Shumica parlamentare kërkoi nënkryetarin e këtij komisioni, por opozita nuk pranoi. Mbledhja më pas u ndërpre për shkak se mazhoranca kërkoi kohë për këtë propozim të cilin e cilësoi “të paparashikueshëm”. Opozita nuk kërkoi negocim për këto pika dhe kërkoi nga mazhoranca mbajtjen e fjalës për ngritjen e këtij komisioni. Një arsye për të cilën mazhoranca kërkon që të ketë nënkryetarin është për shkak të rolit të tij në bërjen e raportit. Puna e këtij komisioni do të nxjerrë një raport i cili do të “certifikojë” ose jo të gjithë procesin. Komisioni do të ndjekë nga afër të gjithë procesin, do të organizojë mbledhje me drejtuesit e ministrive të lidhura me zgjedhjet etj. Por raporti përfundimtar kërkon firmat si të kryetarit ashtu edhe të nënkryetarit për të dhënë konkluzionin. Mazhoranca ka kërkuar që konkluzioni të jetë i përbashkët jo dhe i njëanshëm. Gjithsesi, mbledhja vendosi që mbledhjen e ardhshme do të vendoset për krijimin e komisionit. Pritet që të komisioni i përbashkët të ndjekë nga afër të gjithë procesin, që nga bërja e listave, pajisja me kartat e reja të identitetit, punën parapërgatitore të KQZ-së etj. Njëkohësisht komisioni do të ndjekë edhe punën e ekzekutivit për përmbushjen e detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor si blerja e kamerave në dhomat e numërimit të votave si dhe monitorët.