E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidimi ; PD-PS bashkojnë votat për hyrjen në BE



Komisioni i Jashtëm ka miratuar dje projektrezolutën për aplikimin si vend kandidat në Bashkimin Evropian me konsensus të plotë. Partitë e mëdha, PD dhe PS, kanë arritur një mirëkuptim në lidhje me këtë kërkesë të veçantë. Projektrezoluta tashmë pritet t’i kalojë Kuvendit për t’u miratuar dhe më pas përgjegjësia kalon mbi ekzekutivin, i cili duhet të gjejë një moment të përshtatshëm për të dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për t’u bërë kandidate. Projektrezoluta e miratuar dje nuk përmban afat për qeverinë se kur duhet të paraqesë aplikimin, megjithëse projektrezoluta e grupit parlamentar të PD-së përcaktonte se brenda muajit janar qeveria të paraqesë kërkesën në BE. Komisioni i Jashtëm vendosi dje se nuk duhet të ketë një afat të përcaktuar për shkak se diplomacia shqiptare duhet të gjejë një moment të përshtatshëm kur të paraqesë këtë aplikim. Gjatë një konference për shtyp, deputeti i PS-së, Kastriot Islami, anëtar i Komisionit të Jashtëm, shprehu bindjen se aplikimi i Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat do të ketë sukses. Ai e mbështeti këtë bindje në faktin se Shqipëria ka bërë hapa para si dhe ka përfunduar të gjitha detyrimet që kërkon procesi pas ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet. Gjithsesi, ai vuri theksin në zgjedhjet e qershorit si dhe në rëndësinë e tyre. Në fakt, kërkesa për t’u bërë vend anëtar do të bëhet pas negocimeve që pritet të bëjë diplomacia shqiptare, në mënyrë që Komisioni Evropian të mos ketë asnjë dyshim mbi kërkesën shqiptare. Ky aplikim vjen në një moment kur vendi ka kaluar dy vite përpjekje në reforma dhe ratifikime të MSA-së në 27 parlamente të vendeve të BE-së.

Projektrezoluta

Dokumenti i miratuar dje nga Komisioni i Jashtëm shpreh bindjen në sukseset dhe arritjet e Shqipërisë. “Inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim edhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë për ecurinë e negociatave. Shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Evropian, vendet anëtare dhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj në lidhje me integrimin evropian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj Rezolute”, - thuhet në këtë projektrezolutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›