E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha vazhdon turin në Elbasanin: “Shqipëria aplikon për statusin më 28 prill”



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi gjatë një vizite në rrethin e Elbasanit se “qeveria shqiptare do të aplikojë së shpejti për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian”. Ministri Basha ka vijuar dje turin e takimeve me banorë të komunave Gostim, Klos dhe Mollas të Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, ministri Basha konfirmoi se me të njëjtin vullnet që kjo qeveri bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të bëjë të mundur edhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në këtë drejtim, ministri i Jashtëm premtoi se brenda një viti, qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza nëpër Europë. “Së shpejti, qeveria shqiptare, kryeministri Sali Berisha do të paraqesë personalisht aplikimin për statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. U them sot të rinjve dhe gjithë qytetarëve, që brenda 12 muajve, me pasaportë shqiptare, pa vizë, do të mund të lëvizin lirisht nëpër hapësirën ‘Shengen’. Reformat dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit bënë të mundur dyfishimin e pagave dhe pensioneve dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi. Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim do të vijohet dhe në katër vitet e ardhshme”,- tha zoti Basha.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›