Skela asist, Lala e Mavraj fitojnë
Fantazisti Ervin Skela dha asistin e golit të dytë të Energi Kotbusit në fitoren shumë të rëndësishme 2-1 kundër Arminia Bielefeldit, me dy gola me “kombësi” bullgare. Trajneri i Kotbusit, Bojan Prasnikar kishte pohuar se rikthimi i Ervin Skelës është shumë i rëndësishëm në mesfushën krijuese, dhe shqiptari ia shpërbleu më së mirë. Dimitar Rangelov hapi takimin me golin e tij në minutën e 43-të. Rumuni i Arminias, Vlad Muntenau barazoi në minutën e 48-të. Regjisori Skela i dhuroi pasin e golit bullgarit Stanislav Angelov, i cili nuk e pati të vështirë të realizonte në minutën e 59-të nga një distancë e afërt. Skela pati një mundësi për të realizuar në minutën e 47-të, por topi përfundoi ngjitur me shtyllën, ndërsa në të 56-të ekzekutoi bukur një goditje të lirë.
LALA- Mesfushori shkatërrues Altin Lala ishte pjesë e fitores 2-0 të Hanoverit ndaj Hertës së Berlinit, pavarësisht se kapiteni i Kombëtares shqiptare hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 82-të, atëherë edhe kur rezultati ishte fiksuar 2-0. Për Hanoveri, që morri tri pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë në Bundesligë, shënuan Hanke (29’) e Brugnik (62’), ndërkohë që për Hertën doli me karton të kuq, Voronin.
MAVRAJ- Mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, i thirrur së fundi edhe nga Kombëtarja e Gjermanisë U-21, ishte pjesë e Bokumit në shkatërrimin 3-0 në shtëpi të Hofenhajmit. E veçanta e këtij takimi ishte “tripleta” e sllovakut Stanislav Sestak. Hofenhajmi nuk fiton prej nëntë ndeshjesh.
KAPLLANI – Sulmuesi i Karsruhes, Edmond Kapllani, luajti vetëm pak minuta në humbjen 2-0 të ekipit në transfertën me Shalke 04. Kapllani hyri në lojë në minutën e 87-të në vend të Mutzel. Golat për “qymyrxhinjtë” nga Gelsenkirsheni u shënuan nga Kuranji e Farfan. Pas javës së 27-të, Hanover ndodhet në vendin e 13-të (29 pikë), Bokum në vendin e 14-të (28 pikë), Energi Kotbus në të vendin e 17-të (23 pikë) dhe Karlsuhe në vendin e fundit të 18-in me 18 pikë, duke qenë me një këmbë në Bundesligën 2.
13 Prill 2009