E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka përfshin në listat e deputetëve dy kandidatë romë



Meleqe Renja dhe Ibrahim Likzelia janë dy përfaqësues romë, që janë përzgjedhur nga demokristianët si kandidatë potencialë me të cilët ajo do të përfaqësohet përpara votuesve të këtij komuniteti në Tiranë. Kryetari i demokristianëve, Ndoka, vlerësoi se kjo përzgjedhje ka të bëjë me rritjen e vëmendjes së munguar deri tani nga politika kundrejt komunitetit rom. “Fatkeqësisht më duhet të deklaroj sot se qeveritë shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve kanë bërë pak ose aspak për këtë komunitet, ku përveç indiferencës, në mjaft raste, janë shfaqur edhe qëndrime diskriminuese, përbuzëse, që kanë penguar integrimin e tyre real në shoqëri. Ne shprehim bindjen se toleranca, respektimi i racës, ngjyrës, kombësisë, lirisë së besimit, si dhe bashkëpunimi e ndihma e ndërsjellë përbëjnë sfidën kryesore të kësaj bote globale ku duam të integrohemi. Demagogjia e maxhorancës qeverisëse në këtë fund mandati, me buzëqeshje patetike, shtrëngime duarsh, fotografi e deklarata, nuk i shërben aspak këtij procesi dhe nuk i siguron këtij komuniteti përfaqësimin e merituar në politikë dhe në vendimmarrje. Meleqe Renja është kryetare e shoqatës ‘Gruaja rome e së nesërmes’ dhe Ibrahim Likzelia është nënkryetar i shoqatës rome ‘Zemra e nënës’”, - është shprehur Ndoka.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›