Deputetët e PD-së braktisin zonat e 2005-s, vetëdeklarohen në të tjera qarqe
Eljona Ballhysa
Prej disa javësh deputetë të ndryshëm të Partisë Demokratike kanë ndërmarrë një tur paraelektoral në disa qytete dhe komuna të vendit. Megjithëse ky tur është cilësuar si tur përgatitor për fushatën elektorale për t’u takuar me bazën dhe me elektoratin, ajo që ka rënë në sy është vetëdeklarimi i deputetëve në këto zona si kandidatë në zgjedhjet e 2009-s. Nga ana tjetër, Kryesia qendrore e partisë nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje për të përcaktuar kandidatët dhe zonat e tyre elektorale dhe ajo që zakonisht ndodh është rikandidimi i deputetëve në të njëjtën zonë. Por ndryshe po paraqitet situata gjatë kësaj fushate zgjedhore. Deputetë të njohur të PD-së kanë “tradhtuar” zonat e tyre elektorale, të cilat i kanë zgjedhur deputetë në korrik të 2005-s dhe kanë filluar “të ngrenë flamurin” në zona të tjera elektorale.
Ndryshimet
Sipas burimeve nga selia blu, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, duket të jetë një ndër kandidatët e kësaj partie në qarkun e Vlorës. Ndërkohë që Patozi është zgjedhur deputet në korrik të 2005-s në zonën elektorale të Vorës, që përfshin dhe komunën e Gërdecit. Çdokush do të mendonte se ndryshimi i zonës elektorale nga Patozi lidhet në mënyrë direkte dhe me tragjedinë e Gërdecit, e cila pritet të sjellë kosto elektorale për PD-në. Megjithatë, ende nuk janë bërë të qarta arsyet e ndryshimit të zonës elektorale nga deputeti Patozi.
Edhe ministri aktual i transporteve, Sokol Olldashi, i cili në 2005-n u zgjodh deputet në zonën e Shijakut, sipas burimeve, pritet të jetë i pari në listën e PD-së në qytetin e Fierit. Aktualisht Olldashi nuk gëzon mandat deputeti, pasi hoqi dorë prej tij gjatë zgjedhjeve lokale. Mendohej se Olldashi, si kandidati i PD-së për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të kandidonte në Tiranë gjatë zgjedhjeve të 2009-s. Por prej disa ditësh ai ka ndërmarrë një tur intensiv takimesh në komunat e qytetit të Fierit. Një tjetër figurë e PD-së, siç është ministri aktual i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, do të ndryshojë zonën elektorale. Nga një deputet i kryeqytetit, Basha, sipas burimeve, do të jetë i pari i listës së PD-së në qytetin e Elbasanit. Ai ka zhvilluar një sërë takimesh jo vetëm me anëtarë të PD-së së këtij qyteti, por dhe me qytetarë e simpatizantë të PD-së për të krijuar sa më shumë lidhje, në mënyrë që të sigurojë sa më shumë vota më 28 qershor. Ministri aktual i Arsimit, Fatos Beja, nga deputet i Fierit pritet që gjatë zgjedhjeve të ardhshme të kandidojë në rrethin e Lezhës, ndërsa Genc Pollo lë Përmetin për qarkun e Beratit.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Ilir Bano, lë Lushnjën dhe vendos të kandidojë në Dibër. Këto janë zonat e paracaktuara paraprakisht dhe vetë deputetët kanë filluar përgatitjet për fushatën, megjithëse kryetari i PD-së njihet për vendime të çastit të fundit dhe të paparashikueshme.
Historikët
Ndërkohë që mbeten të palëvizshme nga zonat e tyre të tjera figura kryesore të PD-së, siç është nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila prej vitesh kandidon dhe zgjidhet deputete në qarkun e Shkodrës. Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve Topalli e ka pothuajse të sigurt mandatin e deputetes në qarkun e Shkodrës.
Ridvan Bode e Ilir Rusmali, dy figura të rëndësishme të PD-së, pritet të rikandidojnë sërish në qarkun e Korçës. Jemin Gjana nuk pritet t’i ndahet kollaj Kukësit, nga ku është zgjedhur deputet. Edhe nga Genc Ruli nuk pritet të kemi surpriza në ndryshimin e zonës elektorale. Ai, sipas burimeve, do të jetë i pari i listës së PD-së në qarkun e Gjirokastrës. Në Durrës pritet që i pari i listës të jetë ministri aktual i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Ndërsa kryeministri Berisha nuk do ta braktisë qytetin e Kavajës, i cili i përket qarkut të Tiranës, ku ai do të kryesojë listën e PD-së.
Ndryshimi i zonave
Astrit Patozi, nga Vora në Vlorë
Lulzim Basha, nga Tirana në Elbasan
Sokol Olldashi, nga Shijaku në Fier
Fatos Beja, nga Fieri në Lezhë
Genc Pollo, nga Përmeti në Berat
Ilir Bano, nga Lushnja në Dibër
Historikët
Ridvan Bode në Korçë
Jozefina Topalli në Shkodër
Jemin Gjana në Kukës
Sali Berisha në Kavajë, qarku Tiranë
Genc Ruli në Gjirokastër
Ilir Rusmali në Korçë
Gazmend Oketa në Durrës
14 Prill 2009