E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli vazhdon takimet në komunat e Veriut, premton rritje të mirëqenies



Kryetarja e Kuvendit, në vazhdim të turit të saj “NATO, ne ia dolëm”, është ndalur dje në komunat e Veriut të vendit, në Grumirë dhe komunën e Hotit. Kryetarja e Kuvendit, gjatë fjalës së saj, theksoi se besimi dhe mbështetja e këtyre banorëve dhe e të gjithë shqiptarëve në rrugën e demokracisë dhe të reformave për ndryshim bënë të mundur që premtimi për hyrjen e Shqipërisë në NATO të mbahej duke i shtuar krenarinë dhe dinjitetin çdo shqiptari, brenda dhe jashtë kufijve. “Kjo ka qenë ëndrra e baballarëve tanë, e gjyshërve tanë nga sofra e Dedë Gjon Lulit, që ishte trim dhe patriot, që kishte një vizion që shkonte përtej çdo horizonti të mundshëm të asaj periudhe. Kjo të bën të ndihesh me shumë dinjitet dhe të bën të mendosh se cili vend, në një periudhë kaq të shkurtër, ka bërë një rrugë kaq të gjatë dhe kaq intensive siç e kanë bërë shqiptarët?” - është shprehur Topalli, e cila premtoi se qeveria, gjatë mandatit të dytë, i kushtoi rëndësi rritjes së mirëqenies së banorëve. “Nëse ne gjatë këtij mandati që po përfundon kemi reduktuar varfërinë, vëmendja jonë në të ardhmen do të jetë pikërisht tek ata që kanë më shumë nevojë për t’i bërë ata të ndihen të sigurt për jetën e tyre”, - është shprehur Topalli.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›