E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashës i mbërrin me postë aktakuza

 

Trazhgim Sokolaj

Tri orë pasi kaloi afati kur duhej të paraqitej në Pro-kurorinë e Përgjithshme, Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha i ka mbërritur një adresën e tij një pako postare e pazakontë. Një dokument prej 25 faqesh i vendosur në një zarf të zakonshëm ku ndodhej akt-akuza ndaj ish-ministrit të Jashtëm, ishte dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në adresën e ministrit të Jashtëm. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, konfirmuan se pas mosparaqitjes së Bashës në organin e akuzës, ditën e djeshme në orën 14:00 siç ishte thirrur tri ditë më parë, prokurori i çështjes Arben Kraja ndoqi një procedurë pa shumë precedentë në Shqipëri, por gjithsesi të njohur nga legjislacioni penal. Dokumentin e akt-akuzës që do t'i komunikonte ministrit në zyrën e tij, prokurori i dosjes "Durrës-Kukës", e ka vendosur në zarf dhe ia ka dërguar Bashës me postë. Shkak për këtë veprim është bërë mosparaqitja e ministrit të Jashtëm në orarin e kërkuar nga Prokuroria. Kur ora shënonte 13:45 minuta, në portën e organit qendror të akuzës ka hyrë me një hap të nxituar, Zef Nikaj, avokati mbrojtës i Lulzim Bashës. Mbrojtësi ligjor është drejtuar menjëherë në zyrën e prokurorit Arben Kraja, të cilit i ka lënë mbi tavolinë, një kopje të padisë, që kishte bërë në Gjykatën e Tiranës dje në mëngjes, duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë për aktin e ngritjes së akuzës dhe thirrjes së Bashës në cilësinë e të pandehurit (neni 128/2 i Kodit të Procedurës Penale).
Përplasja me ministrin
Më pas, prokurori i ka komunikuar avokatit të pajisur me prokurë nga Lulzim Basha, se ishte thirrur për t'u njohur me aktin e akuzës për "shpërdorim detyre" ndaj ish-ministrit të Transporteve, por avokati Zef Nikaj nuk ka pranuar të firmosë apo të marrë në dorëzim asnjë material dhe më pas është larguar. Ai doli nga Prokuroria e Përgjithshme pasi qëndroi aty për rreth 20 minuta. "Për shkak se avokati nuk pranoi asgjë dhe në kushtet e mosparaqitjes së ministrit, duke iu referuar Procedurës Penale që kërkon njohjen e të pandehurit me akuzat që  bëhen para se dosja të shkojë në gjyq, aktakuza ndaj ministrit Basha u dërgua me postë në adresën e tij", thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, pak orë pasi kishte dalë nga Prokuroria e Përgjithshme, avokati i ministrit Basha në një konferencë për mediat, tha se klienti i tij nuk ishte marrë i pandehur, por gjithsesi ai ka bërë padi në Gjykatën e Tiranës ku kërkon shfuqizimin e të gjithë veprimeve të bëra nga prokuroria pas datës 6 nëntor 2008, duke i konsideruar ato si të paligjshme. Nga ana tjetër, mësohet se pas shtyrjes se afatit të hetimeve nga Prokuroria në datën e mësipërme Lulzim Basha dhe avokati i tij kanë qenë në Prokurori pas datës 6 nëntor dhe janë njohur me aktin e shtyrjes së hetimit.
Shkeljet e Bashës
Më vonë, Prokuroria e Përgjithshme në formë reagimi ndaj avokatit, tha se ka ngritur akuzë për "shpërdorim detyre" ndaj Lulzim Bashës, i cili dje është thirrur pikërisht për t'u njohur me akuzën që i faturohet. Prokuroria ka listuar më shumë se 19 shkelje, që sipas saj janë kryer nga ish-ministri i Transporteve në procedurat e ndjekura për prokurimin, tenderimin dhe financimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Bëhet fjalë për përzgjedhjen e firmës supervizore, inicimin e katër vendimeve të qeverisë, mungesën e fondit limit, përzgjedhjen e ofertave, tejkalimin e të gjitha shpenzimeve të parashikuara tani, që vepra ende nuk ka përfunduar dhe shkaktimin e një dëmi në buxhetin e shtetit në vlerën 232 milionë euro.

Xhaferri: Prokuroria, zyrë juridike e PS-së

Partia Demokratike del hapur kundër kryeprokurores Ina Rama, duke e cilësuar se po vepron e ndikuar politikisht nga PS-ja për çështjen e deputetit të PD-së, Lulzim Basha. Akuza ndaj kryeprokurores erdhi nga demokrati Ferdinand Xhaferri, i cili theksoi se organi i akuzës nuk po zbaton vendimin e Gjykatës për pezullimin e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës. "Organi i Prokurorisë, për arsye politike, vazhdon të mbajë hapur çështjen ndaj ish-ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve dhe lidhur me çështjen e rrugës Durrës-Kukës". "Ka pasur një presion politik karshi Prokurorisë. Përpjekjet e opozitës, për ta transformuar Prokurorinë në zyrë juridike të PS-së, jo se nuk ka pasur fryte. Rezultati i parë i kësaj është fakti, që Prokuroria vazhdon të hetojë mbi këtë çështje, megjithëse ka një urdhër të gjykatës për pezullim të hetimeve", theksoi Xhaferri. Këtyre qëndrimeve iu është përgjigjur kundër socialisti Taulant Balla. "Fjalimi i parafolësit është si ajo thënia "Loni prej betoni, Luli prej milioni", sepse ka një problem shumë të madh, se në këtë vend një xhepist quhet hajdut, ndërsa po vodhe 230 milionë euro bëhesh hero. Dhe ky individi që mori në mbrojtje parafolësi, një prokurori me një prokurore që ju keni votuar pro, e keni zgjedhur ju, është thirrur për t'u njoftuar për procedimin penal, si i pandehur për një aferë korruptive 230 milionë euro", deklaroi Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›