E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirro Misha sjell “Arratisja nga burgjet e historisë”



Sapo është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena” përmbledhja me ese e studiuesit dhe publicistit Pirro Misha e titulluar “Arratisja nga burgjet e historisë”, me nëntitull “ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar”. Ky botim është edhe një ftesë për debat në lidhje me identitetin e shqiptarit në shekuj dhe gjendjen aktuale të zhvillimeve sociale, në mënyrë të veçantë intelektuale, në botën shqiptare. Libri përmbledh një numër esesh të autorit, të cilat trajtojnë aspekte themelore të identitetit shqiptar dhe analizojnë problematikat e mprehta të tranzicionit pas komunist në vendin tonë. Eseja e gjatë “Arratisja nga burgjet e historisë” është një vetëshqyrtim i thellë, provokues dhe shumëplanesh i procesit të formimit dhe zhvillimit të identitetit shqiptar. Qasja historike nga njëra anë, si dhe ajo problematike nga ana tjetër, i japin mundësi autorit jo vetëm të shtrojë pyetje të vështira, por edhe të japë përgjigje kurajoze. Janë pyetje që shpesh hezitojmë t’ia bëjmë vetes, por edhe përgjigje që më së shumti preferojmë t’i shmangim. ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar? Si ka ndryshuar përfytyrimi që kemi për veten? ǒefekt kanë pasur zhvillimet e ngjarjet traumatike të viteve të fundit në mitet, simbolet, kujtesat apo vlerat që lidhin së bashku një popull, i cili, pas një izolimi aq të gjatë nga bota, e ka të vështirë të krijojë një imazh për veten? …Përse vallë kemi mbetur kaq prapa nga popujt që na rrethojnë? …Ku po shkojmë? …Përse ndër të gjitha vendet ish-komuniste të Europës pikërisht Shqipëria pati (dhe vazhdon të ketë) tranzicionin pas komunist më të vështirë? Këto dhe shumë pyetje të tjera që Pirro Misha shtron në librin e tij marrin përgjigje përmes paraqitjes së një numri të madh faktesh, opinionesh e citimesh që autori i analizon me kujdes, pa paragjykime, për të arritur më pas në konkluzionet e tij të pavarura, jo gjithmonë “politically correct”, por gjithnjë realiste dhe të guximshme. Libri ka një karakter polemik dhe shpreh pikëpamjet dhe qëndrimet e autorit në lidhje me çështjet dhe temat që trajtohen në libër. Orientimi konstant pro perëndimor i autorit është i dukshëm në të gjitha shkrimet që përbëjnë librin-ese dhe është në kundërshtim me autorë, teza dhe projekte që hapur ose në dukje bien ndesh me identitetin europiano-perëndimor të shqiptarëve. Çështjet e identitetit të shqiptarëve autori i sheh jo vetëm në prizmin historik, por edhe në prizmin aktual dhe, për më tepër, në prizmin perspektiv. Në lojë është në të vërtetë problemi i orientimit të ardhshëm gjeopolitik të shqiptarëve. “Arratisje nga burgjet e historisë” është një libër i pyetjeve të pashmangshme dhe i përgjigjeve të vështira. Për këto arsye, ai duhet lexuar dhe debatuar. Shtëpia botuese “Toena”, iniciatore edhe e botimeve të tjera të këtij lloji që nxisin frymën e diskutimeve dhe të debatit konstruktiv, për të cilat ka nevojë shoqëria jonë, ka bindjen se po i jep lexuesit shqiptar një vepër të vlefshme, të shkruar me etikë intelektuale, me ide të qarta dhe të hapura që shprehin qëndrimin e autorit dhe shqetësimin e tij për problemet aktuale të shoqërisë sonë.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›