Fazlliç: Jam irrituar nga Prokuroria
Fatos Mahmutaj
Damir Fazlliç, biznesmeni serbo-boshnjak i hetuar në Shqipëri për "pastrim parash", "sulmon" nga Londra prokurorinë shqiptare. Me anë të një konferencë për shtyp përmes zyrës së tij, ai ka komentuar procesin gjyqësor me të cilin po përballet prej disa javësh. Fazlliç, së bashku me ekipin e tij të mbrojtjes ligjore që përbëhet nga disa avokatë amerikanë dhe të tjerë shqiptarë, thotë se është i irrituar nga shqyrtimi gjyqësor i padisë të tij në Tiranë. Duke folur për seancën e dy ditëve më parë, biznesmeni që mban nënshtetësi angleze tha dje se seanca gjyqësore kundër sekuestrimit të njëanshëm nga prokurorët të pasurive në Shqipëri ishte irrituese, ndërsa shtoi se njëkohësisht kjo seancë ishte edhe konfirmim i pafajësisë së tij. Duke e komentuar këtë Fazlliç ka pohuar se: "seanca ishte irrituese pasi avokatët mbrojtës shkuan në seancë të përgatitur për të demonstruar, që sekuestrimi nga ana e prokurorëve është i paligjshëm nën ligjin shqiptar dhe për më tepër i gjithë hetimi është krejtësisht i pabazë, por i nxitur vetëm e vetëm nga historitë keqdashëse dhe të pavërteta rreth tij nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar". Qëndrimi i Fazlliçit u bë publik nga avokatët, për të cilët ai ka pohuar se e patën krejtësisht të pamundur ta bënin këtë gjë, pasi prokurorët, krejtësisht të papërgatitur për të provuar të kundërtën, kërkuan zgjatje kohe brenda së cilës të mund të përgjigjen dhe të përpiqen të justifikojnë veprimet e marra që një muaj më parë. "E sidoqoftë, fakti i thjeshtë se prokurorët e kishin të pamundur të procedonin provon vërtetësinë e qëndrimeve të Fazliç", thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e biznesmenit në Londër, ku më tej shtohet se "për më tepër, qenë vetë prokurorët të cilët në mënyrë të njëanshme imponuan sekuestrimin e pronave të z. Fazliç". Më tej në deklaratë thuhet se: "seanca e djeshme sugjeroi që një veprim i tillë nga prokurorët u ndërmor pa pasur një bazë të fortë për ta bërë këtë gjë. Prokurorët nuk e mohuan që ata nuk kanë fakte të ndonjë krimi të kryer nga z. Fazliç. Sikur prokurorët nuk të mos na kishin siguruar që më parë se ata do të vepronin në mënyrë të ndershme, të paanshme dhe të shpejtë, do të kishim menduar se ata po zbatonin strategjinë 'vrit njëherë, pastaj gjej arsyen pse', që do të binte ndesh me thelbin demokratik të shtetit në Shqipëri". Fazlliç duke sjellë një tjetër qëndrim pohon: "Ndonëse besimi i tij në këtë proces është lëkundur, vazhdon të besojë se profesionalizmi i atyre që janë përfshirë në këtë çështje do të sjellë më në fund pastrimin e emrit të tij". Duke folur për përfshirjen e tij në blerjen e pronave shtetërore në Shqipëri Fazlliç dhe mbrojtësit e tij ligjorë, deklarojnë se ata "e mohojnë kategorikisht që atij t'i jetë dhënë qoftë edhe një diçka e vetme nga kushdo qoftë në qeveri. Në të vërtetë, z. Fazliç nuk ka blerë, për çfarëdo lloj çmimi qoftë, as edhe 1 cm katrorë tokë publike në Shqipëri". "Duke qenë se hetimi për "pastrim të supozuar parash" ndaj Fazlliç nisi vetëm për shkak të raportimeve të gënjeshtërta të disa mediave, inkurajojmë prokurorët të heqin sekuestrimin, të përfundojnë sa më shpejt hetimin e tyre dhe ta çlirojnë z.Fazlliç nga akuzat për keqbërje. Një shtyrje tre javore nuk do të sjellë asgjë të re, sikurse edhe 3 vjet nuk do të sillnin asgjë të re, pasi Fazlliç nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme, përfundojnë avokatët amerikanë.
Prokuroria: Shitja fiktive e Damir Fazlliçit veprim i dyshimtë
TIRANE - Prokuroria e Tiranës duke iu referuar të dhënave të bëra publike në media, filloi hetimet penale ndaj biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, duke ngritur akuzën "pastrim i produkteve të ardhura nga krimi". Procedimi penal filloi në ditët e para të tetorit dhe që atëherë Prokuroria thotë se ka gjetur veprime të dyshimta të kryera nga biznesmeni boshnjak dhe kompanitë në pronësi të tij. Sipas prokurorisë, mësohet se kompania "Crown Acquisition" e Fazlliç në Shqipëri u shit për 1.7 milionë euro tek një subjekt në Qipro, në një kohë që nuk kishte deklaruar aktivitet dhe fitim në Shqipëri dhe kapitali i saj fillestar kishte qenë vetëm 1 mijë euro. Në vazhdën e dyshimeve për këtë shitje, prokuroria thekson se një pjesë e transaksionit për këtë pagesë ka qarkulluar kesh jashtë rrugëve bankare, duke hedhur dyshime se qëllimi ka qenë shmangia e monitorimit. Nga ana tjetër, Prokuroria ka hedhur dritë mbi blerjen e më shumë se 12 hektarëve tokë në Porto-Romano, pranë fshatit Rinia nga Damir Fazlliç, i cili ka përfituar dukshëm, duke marrë troje në bregdet me një çmim të lirë për tregun si ai i rastit konkret 50 euro për metër katror. Prokuroria tha se ende nuk i ka përfunduar hetimet për këtë çështje, porse ka gjetur elementë të veprës penale.